Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshje për targat

Bruksel, 21 prill 2022 – Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 21 prill se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, pas një takimi trepalësh në Bruksel.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi.

Bislimi tha po ashtu se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot.

“Është vendim politik që duhet të marrin krerët e shtetit se si të ecim tutje, por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar. Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia.

“Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale”, tha Bislimi.

Targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, si ‘KM’ (Mitrovicë), të cilat janë më së shumti në numër, ose ‘PR’ (Prishtinë), ‘PZ’ (Prizren), ‘GL’ (Gjilan) lëshohen nga autoritetet serbe dhe ato përdoren vetëm në veriun e Kosovë, ku popullsia serbe është shumicë. Këto targa, Kosova i konsideron të paligjshme, por lëvizja me to në veri të Kosovës kohëve të fundit është lejuar nga autoritetet në Prishtinë.

Deklaratat e Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot (21 prill) është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.

Pas takimeve bilaterale me kryenegociatorët, Miroslav Lajçak ka arritur t’i bindë palët që të ulen në tryezën e përbashkët.

Petar Petkoviq, nga pala serbe dhe Besnik Bislimi nga ajo kosovare nuk ishin takuar së bashku që nga vera e kaluar, për shkak të mosgatishmërisë për arritjen e ndonjë përparimi në procesin e dialogut.

Bislimi po ashtu tha se në takimin me kryenegociatorin serb, Beogradi tregoi “se nuk do zgjidhje”.

“Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë nga grupi punues te kryenegociatorët për një periudhë tranzitore prej 30 ditësh, edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojmë. Kështu që mund të them që marrëveshja për targat apo ideja për arritjen e marrëveshjes për targa ka përfunduar pa sukses”, shtoi Bislimi.

Takimi Kurti-Vuçiq në maj?

Në këtë takim midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, sipas Bislimit është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë edhe për një takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Një takim i tillë, sipas tij, po kërkohet që të mbahet në maj.

“Zoti Lajçak është shumë i interesuar që sa më shpejt të fillojnë bisedimet për marrëveshjen e përgjithshme dhe ai ka diskutuar edhe sot për elementet që duhet të plotësohen që ky takim të ndodhë, mundësisht brenda muajit maj”, tha Bislimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si bartës së dialogut politik, nuk janë takuar që nga korriku i vitit të kaluar.

Ndërkaq, mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për shkëmbimin e të dhënave arkivore. Por, Bislimi tha se ky lajm është i pavërtetë.

“Në asnjë rast nuk është përmendur dhe as prekur tema e arkivave , as në takim bilateral e as në trelateral”, tha ai.

(REL)