Kosova dhe Shqipëria pritet të miratojnë 8 zona të reja të kalimit kufitar

Tiranë, 30 janar 2022 – Në Parlamentin e Shqipërisë është dërguar për ratifikim marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të firmosur më 26 nëntor 2021, Zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese.

Me qëllim lehtësimin e qarkullimit lokal kufitar, zonat e reja të kalimit kufitar do të jenë: Padesh — Koshare, Zherkë — Babaj Bokës, Zogaj — Babaj Bokës, Dobrunë — Gerqinë, Vlahën — Kuzhnin, Kishaj — Planejë, Bardhoc-Breznë, Pakisht-Kërstec, Orgjost-Orçushë, Borje-Globoçicë dhe Turaj-Restelicë.

Në relacionin e Qeverisë shqiptare drejtuar Kuvendit, thuhet se marrëveshja me qëllim lehtësimin e qarkullimit lokal kufitar është iniciuar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të të dyja qeverive, me qëllim thjeshtëzimin e lehtësimin e procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit. Kjo marrëveshje synon ta lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës kufitare, të cilët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër, me kusht që kohëzgjatja e qëndrimit të tyre të mos jetë më e gjatë se 90 ditë brenda 180 ditëve.

Banorët e zonës kufitare do të lejohen të kalojnë kufirin tokësor në bazë të regjimit të trafikut lokal kufitar, me kusht që: të posedojnë një dokument të vlefshëm identifikimi; të posedojnë lejen e trafikut lokal kufitar; të mos jenë subjekt i një mase të ndalimit të hyrjes në territorin e palëve nënshkruese ose që nuk përbëjnë kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Në bazë të marrëveshjes së firmosur në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, termi “zonë kufitare” nënkupton zonën që arrin jo më shumë se tridhjetë 30 kilometra nga kufiri tokësor. Ndërkohë që “banorë të zonës kufitare” nënkupton shtetasit e të dyja palëve nënshkruese që janë banorë në zonën kufitare për një periudhë të caktuar në këtë marrëveshje, që duhet të jetë së paku një vit.

Ndërsa “trafiku lokal kufitar” nënkupton kalimin e rregullt të pikës së kalimit kufitar apo edhe jashtë pikës së kalimit kufitar, ashtu siç përcaktohet me këtë marrëveshje, nga banorët e zonës kufitare, me qëllim të qëndrimit në zonën kufitare të palës tjetër nënshkruese, për arsye sociale, kulturore, arsimore, familjare, shëndetësore ose arsye të vërtetuara ekonomike, për një periudhë që nuk tejkalon afatin kohor të përcaktuar në këtë marrëveshje.

“Leja e trafikut lokal kufitar” nënkupton një dokument të veçantë që u jep të drejtën banorëve të zonës kufitare ta kalojnë pikën e kalimit të kufirit dhe jashtë tyre dhe të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër nënshkruese në përputhje me dispozitat e kësaj marrëveshjeje. Në lejen e trafikut lokal kufitar sipas regjimit të trafikut lokal kufitar nuk aplikohet vendosja e vulës së hyrjes dhe daljes. Gjatë kryerjes së verifikimit kufitar të banorëve kufitarë që janë të pajisur me leje të trafikut lokal kufitar, nuk është e nevojshme të vërtetohet qëllimi i hyrjes ose posedimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për jetesë.

Pas ratifikimit të marrëveshjes nga parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës do të krijohet një entitet territorial-administrativ, i njëjtë 30 km në brendi të Shqipërisë dhe 30 km në brendi të Kosovës. Në të dy anët e kufirit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, qytetarët do të përfitojnë shërbime të njëjta sikur të jenë shtetas të të dyja vendeve.

“Janë rreth 300 mijë banorë, që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky lehtësim. Do të thotë që mund të ndjekin lirisht shkollën që nga fillorja e deri në të mesmen, në varësi të vendndodhjes së institucioneve arsimore në të dy anët e kufirit. Mund të shkojnë të punojnë në të dy anët e kufirit, pa pasur nevojë për asnjë dokument, për asnjë leje, pra me një qarkullim krejtësisht të lirshëm”, tha ministri i Brendshëm i Shqipërisë Bledi Çuçi, citon Koha.net.

Ndërsa ministry i Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se marrëveshja për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit do t’u japin impuls të ri ekonomisë, tregjeve lokale të zonave kufitare dhe shërbimeve mes dy vendeve.

“Do të definohet lëvizja e lirë e brezit kufitar. Ndarja e kufirit ndau në mënyrë të pamëshirshme familje, farefise, shoqëri e zona kulturore që kishin jetuar bashkë për shekuj me radhë. Banorët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm me leje kalimi të veçantë në zona kufitare të përcaktuara përgjatë tërë vijës kufitare mes dy vendeve në brendësi të territorit deri në 30 km në secilën anë. Do të hapen pika kufitare të përkohshme kalimi kudo që të paraqitet nevoja. Do të zhvillohet ekonomia dhe tregjet lokale do të rriten. Nxënësit do të kenë më të lehtë qasjen në shkollim andej apo këtej kufiri. Do të hapen pika kufitare të përkohshme kalimi kurdo që të jetë nevoja, për festa, aktivitete kulturore, sportive apo emergjenca. Do të zhvillohen ekonomia dhe tregjet lokale, si dhe shërbimet mes dy vendeve”, tha Sveçla.

(r.m.)