KOSOVA DHE ZGJEDHJET AMERIKANE

– E ardhmja e Republikës së Kosovës duhet dhe mund të përcaktohet vetëm nga shumica e popullit të saj

Agim Aliçkaj

         Zgjedhjet amerikane këtë vit filluan në motin shumë të ftohtë të shtetit të Iowa-s.  Këto zgjedhje tregojnë të jenë shumë të vështira dhe të çuditshme, demokratike por jo krejt normale. Amerika është vendi i çudirave, ku gjithçka është e mundur.

         Askush nuk e di se kush do të fitojë këtë herë.

        Partia Demokratike, pasi presidenti Biden u tërhoq nga gara për shkak të problemeve serioze të moshës, ka emëruar zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten e saj për President. Ajo është një femër minoritare, relativisht e panjohur në krahasim me Trump dhe konsiderohet shumë liberale.

         Kandidati i partisë republikane, ish-presidenti Trump, gati 80 vjeç, i dënuar për 34 vepra penale, është i ndërlikuar dhe i paparashikueshëm. Ai refuzoi të pranonte zgjedhjet e humbura të vitit 2020, gjë që i shtyu mbështetësit e tij të sulmonin Tempullin e demokracisë – Capitol Hill. Sistemi demokratik amerikan mbizotëroi.

         Janë disa çështje që ndikojnë në vendimin e shtetasve amerikanë se për kë do të votojnë, si situata ekonomike, emigracioni, të drejtat riprodhuese, marrëdhëniet me jashtë, etj. Por këtë herë duket se votuesit do të vendosin më shumë kundër sesa për kandidatin. Premtimet boshe, gënjeshtrat dhe mungesa e mirësjelljes janë shqetësuese. Ndarja dhe urrejtja ndaj kundërshtarëve politikë ka arritur kulmin.

        Mbështetësit e kandidatit Trump mendojnë se politikat e administratës Biden, veçanërisht imigracioni jashtë kontrollit, po shkatërrojnë Amerikën. Ata të zonjës Harris e konsiderojnë zotin Trump si të paqëndrueshëm mendor dhe të rrezikshëm me tendenca diktatoriale, që mund të shkatërrojë demokracinë amerikane.

         Mbështetësit më të fortë të zëvendëspresidentes Harris janë gratë, disa pakica dhe republikanët të pakënaqur me sjelljen e ish-presidentit Trump. Ndërsa, përkrahja më e madhe për Trump vjen nga nacionalistët, konservatorët ekstremë, izolacionistët dhe burrat, veçanërisht ata të një moshe më të re që besojnë se diktatura ofron forcë dhe siguri. 

         Republikanët parimorë, ish-zëvendëspresidenti Mike Pence, Liz Cheney, Mitt Romney dhe qindra të tjerë janë veçanërisht të rëndësishëm. Ata janë të ofenduar nga sjelljet e ish-Presidentit Trump, e fajësojnë atë për nxitjen e sulmit të 6 janarit të 21 janarit në Capitol Hill dhe e konsiderojnë atë një rrezik për partinë e tyre dhe demokracinë amerikane. Ata shpresojnë se humbja e Trump do ta kthejë partinë republikane në rrugën e ish-presidentit të famshëm Ronald Reagan.

         Zgjedhjet amerikane kanë rëndësi të veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Amerika e ka ndihmuar krijimin e shtetit të Kosovës dhe është e interesuar ta mbrojë atë si një projekt historik humanitar dhe strategjik. Mirëpo mbështetja amerikane për Kosovën mund të ndryshojë në intensitet dhe formë, varësisht nga problemet botërore dhe interesat gjeopolitike të administratës aktuale. 

         Administrata e ish-presidentit Donald Trump nuk bëri gjë qenësore për Kosovën, përveç njohjes së pavarësisë nga Izraeli për interesa të veta dhe të Izraelit. Emisari Richard Grenell u korruptua tërësisht nga regjimi fashist serb dhe tentoi bashkë me opozitën ta shkatërrojë demokracinë e Kosovës, ta ndajë ose ta kthejë  Kosovën nën sqetullën e Serbisë përmes Marrëveshjes për normalizim ekonomik.

         As administrata e Presidentit Biden nuk pati ndonjë sukses në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Kjo vjen si befasi, sepse ai personalisht konsiderohet si një përkrahës i madh i Kosovës dhe një kritik i ashpër i gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë.

         Gabimi kryesor ishte sepse, i zënë me probleme të mëdha botërore, administrata e tij ia la çështjen e Kosovës pamëshirësisë dhe padrejtësisë evropiane. Politika e njëanshme evropiane e përkëdheljes të agresorit serb dhe nënshtrimit të popullit të viktimizuar të Kosovës dështoi. Me te dështoi edhe politika amerikane.

         Lind pyetja, cilën palë duhet të mbështesë dhe të votojë komuniteti shqiptaro-amerikan?

         Realiteti është se komuniteti shqiptaro-amerikan është i ndarë në të dyja anët. Veprimi dhe bashkëpunimi me të dyja partitë kryesore ka qenë shumë i suksesshëm në katër dekadat e fundit. Shembull për këtë është Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga legjendat e lobimit në Washington Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.

          Këtë herë, pas një shqyrtimi dhe vlerësimi të thellë të shumë fakteve, edhe Joe Dioguardi, i cili është një republikan konservator, doli në mbështetje të zonjës Kamala Harris. Shirley dhe shumica e Bordit të LQSHA ndajnë të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se Trump është i paparashikueshëm dhe ka potencial për të marrë vendime drastike. Me Presidentin Harris, më e keqja që mund të ndodhë është që status quo-ja të vazhdojë edhe për pak kohë.

         Ne nuk gjykojmë ata bashkatdhetarë dhe aktivistë të komunitetit tonë, të cilët për arsyet e tyre mbështesin kandidatin Trump. Mirëpo presim që kontaktet me selinë e tij t’i shfrytëzojnë për të siguruar mbështetje për interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar, e jo për foto-op dhe të marrin detyra për të bërë presion ndaj qeverisë së Kosovës.

          Dhe të mos harrojmë se komuniteti shovinist serbo-amerikan më së shumti mbështet Trump dhe ka krijuar një marrëdhënie të veçantë me emisarin Grenell i cili është plotësisht në shërbim të interesave serbe.

         Sapo u bë e ditur se zëvendëspresidentja Harris i është drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan me një letër ku i falenderon për kontributin e dhënë dhe i fton të marrin pjesë në demokracinë amerikane. Kjo duhet të  na e bëjë më të lehtë për të votuar për të.

         Pavarësisht se kush i fiton këto zgjedhje, puna jonë në Washington në interes të Kosovës dhe çështjes kombëtare duhet të vazhdojë. Ushtrimi i ndikimit në çdo administratë nëpërmjet Kongresit Amerikan sjell rezultate të favorshme.

          Kosova duhet të sigurojë mbështetjen amerikane duke forcuar demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit të shtetit, e jo duke bërë lëshime ndaj kërkesave destruktive serbe dhe të padrejta evropiane. Asociacioni serb pa njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hyrjen e Kosovës në NATO paraqet vetëvrasje.

         Populli i Kosovës ka në dorë që në zgjedhjet e 9 shkurtit, qeverisja e vendit t’i jepet edhe për një mandat treshes së shpresës, aftësisë dhe sigurisë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Por ata, duhet të kenë kujdes që të mos përçahen në këto momente vendimtare për Kosovën. Kosova dhe mbarë kombi shqiptar ende kanë nevojë për unitetin e tyre.

         Liderët e fortë, të pakorruptuar dhe demokratikë, të mbështetur nga shumica e popullit, janë garanci për shtetin e Kosovës.

         Opozita është ende totalisht konfuze, nuk e ka të qartë se për të fituar zgjedhjet duhet të kërkojnë falje për gabimet e së shkuarës dhe të bëhen më të mirë se pozita. Sharjet, kritikat pa vend, shpifjet dhe qëndrimet e ngjajshme me ato të fashistëve të Beogradit nuk bëjnë punë. KM i Shqipërisë Edi Rama është i preokupuar me rehabilitimin e Serbisë dhe veprimet korruptive në Shqipëri.

         Gjëja më e rëndësishme është se ekzistenca e Republikës së Kosovës nuk mund të varet ekskluzivisht nga askush dhe nga asnjë administratë amerikane apo evropiane. E ardhmja e Republikës së Kosovës duhet dhe mund të përcaktohet vetëm nga shumica e popullit të saj, askush tjetër.

         Edhe pse jo perfekte, SHBA është ende vendi më i fortë, më demokratik dhe më i mirë në botë. Amerika është shtëpia e njerëzve të shumë prejardhjeve dhe etnive nga e gjithë bota. Kosova është vendi më i ri në botë, ndërsa populli shqiptar është ndër më të vjetrit dhe më paqësorët në Evropë. 

         Prandaj populli amerikan dhe populli shqiptar janë të mbrojtur nga vetë Zoti. 

         Urime dhe suksese në zgjedhjet e 5 Nëntorit Amerika jonë e dashur!