Kosova do të strehojë familjarët e ushtarëve ukrainas të KFOR-it

Prishtinë, 7 mars 2022 – Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës dhe do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të 40 ushtarëve të Ukrainës, të cilët janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Kështu bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se Kosova do të lejojë të hyjnë pa viza refugjatët ukrainas, por do të pajisen me leje qëndrimi ata që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë në Kosovë.

“Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje qëndrim”, tha Gërvalla.

Gërvalla bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të paraqesë kërkesën për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina.

“Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të dorëzoj kërkesën për marrjen e masave konkrete që të krijohet ambienti i përshtatshëm dhe të shikojmë mundësitë për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Qeveria do të ndajë mjete edhe për fondin humanitar për Ukrainën.

“Qeveria do të ndajë një fond të caktuar për t’ju bashkangjitur ndihmave humanitare ku është e përfshirë e gjithë bota. Ne do të zgjedhim një shoqatë humanitare vendore, e cila me produkte të Kosovës do të përpiqet të zbusë krizën humanitare në Ukrainë”, theksoi ajo.

Gërvalla tha se Kosova ka kërkuar nga KFOR-i dhe nga NATO ndalimin e hapësirës ajrore për avionët në pronësi ruse dhe se kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga NATO.

“Shumë shpejt kemi filluar të shkojmë përtej anës formale të bashkëngjitjes së sanksioneve dhe se cilat janë mënyrat që Kosova mund të japë kontributin e saj. Jemi të ndërgjegjshëm që kontributi ynë është modest. Jemi shtet i vogël me shumë vështirësi dhe probleme tona”, tha Gërvalla.

Qeveria e Kosovës e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione në linjë me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

(r.m.)