Kosova do t’i strehojë 20 gazetarë ukrainas të larguar nga shteti i tyre

Prishtinë, 1 mars 2022 – Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i strehojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga shteti i tyrev pas fillimit të agresionit rus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter e konfirmoi lajmin, duke thënë se këtyre gazetarëve do t’iu mundësohet të punojnë nga distanca.

Njoftimi vjen pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kërkoi nga ekzekutivi që të ndajë 150,000 euro për pranimin e tyre, u tha në një dokument të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këta gazetarë do të lirohen nga vizat për të hyrë në Kosovë.

Shuma prej 150,000 eurosh do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e qirasë, zyrave, sigurimeve shëndetësore, pagesës mujore dhe shpenzimeve të transportit për gazetarët ukrainas, për një periudhë 6-mujore.

Sipas dokumentit, përzgjedhja e gazetarëve që do të strehohen në Kosovë do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Por, prioritet do t’u jepet gazetareve.

Presidenti i Qendërs Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Lutz Kinkel, tha se pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për ta pushtuar Ukrainën, gazetarët në këtë shtet kanë punuar në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme me qëllim që ta informojnë botën me krizën që po vazhdon.

“Ne jemi të përkushtuar që të mbështesim këta gazetarë që janë të detyruar të largohen nga shteti i tyre dhe i jemi mirënjohës Qeverisë së Kosovës për vendiin e tyre të shpejt për të ofruar ndihmë në këtë drejtim”, tha Kinkle.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, po ashtu shprehu mirënjohje ndaj Kosovës që u ka dalë në ndihmë gazetarëve ukrainas.

“Gazetarët ukrainas po bëjnë punë të mirë në kontekstin e kësaj lufte intensive dhe ndaj dezinformatave. Ata po e vendosin veten në rrezik të jashtëzakonshëm për shkak të interesit të publikut. Ne shprehim mirënjohjen tonë ndaj shteteve, siç është Kosova, që mbështesin kolegët tanë ukrainas. Ky duhet të shërbejë si shembull për qeveritë dhe shtetet tjera”, tha ai.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

(REL)