Kosova do t’i strehojë rreth 2.000 afganë

Prishtinë, 25 gusht 2021 –  Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se në Kosovë pritet tëdrehohen rreth 2.000 shtetas afganë që ndjehen të rrezikuar në vendin e tyre.

“Ne jemi duke biseduar me partnerët tanë për të parë nevojat e afganëve për strehim dhe pastaj për të kalkuluar edhe potencialin apo mundësitë e shtetit të Kosovës për t’i strehuar ata. Numri për të cilin po flasim, dhe gjithmonë po flasim për strehim të përkohshëm, është diku rreth 2.000”, ka thënë Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se ende nuk dihet se kur do të arrijnë afganët në Kosovë.

“Është çështje organizative, është një aktivitet jashtëzakonisht i madh logjistik i ushtrisë amerikane, por edhe gjithë aleatëve të tjerë të NATO-s, dhe prandaj nuk kemi një orë, ditë, datë të përcaktuar saktë”, ka thënë Sveçla.

“Ne jemi në dispozicion, jemi në kontakt të vazhdueshëm, qoftë me zyrtarët këtu, qoftë me zyrtarët e shtetit amerikan në Amerikë dhe në vendngjarje, por edhe me bashkëpunëtorë të tjerë të shteteve të tjera”, ka shtuar ai.

Sveçla ka thënë se afganët nuk do të qëndrojnë gjatë në Kosovë.

“Ne na është thënë se ky proces nuk do zgjasë në kohë. Megjithatë, sipas ligjit, mbrojtje të përkohshme ne mund të ofrojmë deri në një vit”, është shprehur ai.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës ka thënë se afganët që do të strehohen në Kosovë do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.

“Patjetër që ata do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit. Janë disa shkallë të verifikimit nëpër të cilat ata do të kalojnë, qoftë nga bashkëpunëtorët tanë, nga aleatët tanë, qoftë edhe nga shteti i Kosovës. Absolutisht që po, edhe Kosova do të bëjë një verifikim”,  ka thënë ai.

(r.m.)