NATO nuk pranon në mesin e vet shtete që u mungon strategjia mbrojtëse. Kosova si duket strategjinë e saj mbrojtëse e ka mbështet si tepër te KFOR-i dhe kjo ka lënë pasoja shumë në mendësinë e politikanëve të cilët ende mendojnë se për shtetin tonë do të luftojnë të tjerët.
Lufta në Ukrainë që erdhi si pasojë e invazionit rus, ka shkaktuar panik ndërkombëtar, kurse shtetet më të afërta kanë filluar ta ndiejnë këtë krizë edhe më tepër. Ka parashikime nga më të ndryshmet mbi mundësinë e përhapjes së kësaj krize edhe në vendet tjera, duke e përmendur shpesh edhe Ballkanin. Jepen disa skenarë të mundshëm se si kjo krizë mund të shpërndahet, por edhe pikat neuralgjike se ku mund të ketë ndonjë eskalim të situatës. Në të gjitha skenarët janë dy vatra të mundshme ku mund të ketë probleme si pasojë e përpjekjeve ruse për destabilizimin e Ballkanit. Përmendet BeH dhe Kosova. Kjo e fundit apostrofohet në kontekst të çështjeve të pazgjidhura me Serbinë e që mund të përdoren si pretekst për ndonjë aventurë të Beogradit.
Tani për tani jemi vetëm në sferën e spekulimeve e hamendësimeve, por do të gaboheshim rëndë nëse ato i neglizhojmë, sidomos kur kemi parasysh natyrën e konflikti në Ukrainë i cili si duket është gatuar që të përdoret si recetë edhe në vendet tjera. Kjo recetë është mjaft e preferuar në kuzhinën serbe të luftës psikologjike, e cila është e njohur me aftësinë e krijimit të situatave dramatike që do të shkonin në favor të estabilishmtint të Beogradit.
Serbia me vite bën përpjekje për ta destabiliztuar Kosovën dhe për ta paraqitur atë shtet jofunksional. Në emër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të serbëve në Koovë, Serbia po mundohet të shpik lloj-lloj sajesash të cilat do të shërbenin më tepër si pyka në integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës. Sajesa më e përfolur e Beogradit tash e disa vite është Bashkësia e komunave me shumicë serbe, një projekt ky që synon prishjen e kompaktësisë territorial të Kosovës dhe rrënimin e rendit kushtetues të saj. Me fjalë të tjera kjo është receta e njejtë që serbët përdorën në Bosnjë para se të formonin Republikën Serbe, një krijesë fantomë që paraqet rrezik permanent për prishjen e harmonisë së brendshme të shtetit të BeH i dizajnuar e Marrëveshjene Dejtonit.
Serbia, ngjashëm si Rusia, po i përdor pakicat serbe në shtet përreth si pykë shantazhi për të shtri sa më shumë hegjemoninë e vet. Ky skenar tash më po funksionon edhe në Ukrainë. Rusia fillimisht e aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe pastaj sponzorizoi destabilizimine të gjitha krahinave me popullatë ruse. Me këtë pretekst ajo e filloi edhe aventurën e saj ushtarake më 24 shkurt të këtij viti, në emër të një kauze false që asnjë njeri normal në botë nuk beson.
Tani kur Ukraina po dëshmon se është një shtet me kapacitete jot ë pakta rezustzese ndaj ivazionit rus, shtrohet pyetja se sip o sillemi ne si Kosovë kundrejt kësaj krize dhe refleksioneve të kësaj krize në një hapësirë më të gjerë.
Nëse i ndjekim me vëmendje deklaratat e zyrtarëve të lartë të Kosovës, do të shohim se ata janë për çdo ditë në kontakt me mediat e huaja dhe vendore, me diplomatët e huaj, me ç’rast po shprehin opinionet e tyre lidhur me krizën në Ukrainë. Në këto deklarime publike po vërejmë dy dikurse publike të zyrtarëve të lartë të Koovës: në njërën anë paralajmërohet rreziku i destabilizimit që mund të vjen nga Serbia, kurse në anën tjetër vazhdimisht përmendet NATO, gjegjësisht KFOR-i, si garancë e ruajtjës së stabilitetit të Kosovës. Por nuk përmendet kurrfarë strategjie e jona kombëtare!
Për pasojë, a mjaftojnë këto diskurse zyrtare për ta qetësuar qytetarin e thjeshtë nga mundësia e agresionit serb mbi Koasovën?
Nëse gjykojmë me kokë të ftoftë, do të thoshim se kjo nuk mjafton. Pikë së pari, Qeveria, Presidenca, Parlamenti ende nuk e kanë krijuar një këshill koordinues me të gjithë faktorët politik, institucional e shoqëror, përfshi edhe diplomat tanë në shtetet e huaja, ku do të projektohej një plan emergjent si përgjigje ndaj kanosjeve të jashtme. Ende institucionet qeveritare dhe opozita bashkë me shoqërinë civile funksionojnë si dy reparte të ndara që nuk kanë ndonjë pikëtakim. Kjo po ndodhë në kohën kur psikoza e luftës ka prekur edhe logikën tregtare të matrapazëve të cilët ideal të vetëm kanë përfitimin në kohë krizash përms fryerjes së çmimeve.
Kosova nuk e ka luksin të sillet e papërgatitur ndaj kësaj krize, sidomos kur kemi parasysh se si shoqëri kemi dalë jo moti nga një luftë me pasoja të rënda e që do të duhej të na jepte mësim se si të sillemi në situata të ngjashme. Nëse gjatë luftës së Kosovës nuk ishim të përfshirë të gjithë në betejat e UÇK-së, këtë mund ta bëjmë tani duke formuar një front të vetëm që do të ishte përgjigje ndaj përpjekjeve të jashtme destabilizuese. Ky front duhet të fillojë që nga Presidentja, e cila duhet të ketë më shumë kujdes me vokabularin politik që përdor kundrejt zhvillimeve në Ukrainë, pastaj me Kryeministrin, i cili duhet të jetë më bashkëpunues me opozitën, me kryetarët e komunave dhe me shoqërinë civile në aktivizimin e të gjitha resurseve njerëzore e materiale.
Po jetojmë në një kohë kur rendi i botëror po përjeton atentat nga aventurat militariste të Putinit. Për rrjedhojë janë më se të arsyeshme edhe deklaratat e diplomatëve të huaj të cilët i frigohen shtrirjes së konfliktit edhe në Ballkan. Në këtë kontekst edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Perëndimi nuk duhet të lejojë Rusinë që të përdorë luftën e saj në Ukrainë për të penguar përparimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia nuk është duke synuar interesat më të mira të këtyre shteteve. Ekonomitë tuaja janë të lidhura në Evropë. Partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investitorët janë në Bashkimin Evropian. Le ta shfrytëzojmë këtë krizë për të siguruar gjeneratat e së ardhmes në Ballkanin Perëndimor që të jetojnë në shtetet e integruara plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në një Evropë të lirë dhe në paqe”.
Escobar ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të jenë partnere të këtij rajoni dhe joratësisht ka përmendur edhe Kosovën.
“Ne duhet të shfrytëzojmë këtë shembull për të dyfishuar përpjekjet për të arritur marrëveshje kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalim veprime që kërcënojnë stabilitetin dhe përparimin në Bosnje-Hercegovinë”.
Ndërkaq ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Jamie Shea e ka vlerësuar faktin që Kosova, për dallim nga Serbia, është rreshtuar në anën e shteteve evropiane, duke i vendosur sanksione Rusisë. Ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundshëm, ndonëse, sipas tij, fillimisht duhet zgjidhur çështjen e mosnjohjes nga katër vende anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.
“Do të kërkojë që ta destabilizojë të gjithë Evropën”, ka thënë ajo, duke iu referuar Rusisë dhe duke shtuar se kjo e fundit mund të shfrytëzojë Serbinë për të cënuar vlerat demokratike.
Por, Kosova, megjithatë, duhet ta ketë rolin e vet dominues në krijimin e një klime të mirëbesimit të brendshëm në mënyrë që fronti të jetë i përbashkët. Sepse nëse vazhdojmë të siellmi kështu duke vepruar pa ndonjë koncept të mirëfillt shtetëror, si përgjigje ndaj situatave emergjente dhe konfliktuoze, atëherë në sytë e botës do të lëmë përshtypje se nuk jemi një shtet i denjë për të qenë anëtar i NATO-s, një kërkesë kjo që po riaktualizohet shumë kohët e fundit. NATO nuk pranon në mesin e vet shtete që u mungon strategjia mbrojtëse. Kosova si duket strategjinë e saj mbrojtëse e ka mbështet si tepër te KFOR-i dhe kjo ka lënë shumë pasoja në mendësinë e politikanëve të cilët ende mendojnë se për shtetin tonë do të luftojnë të tjerët.
Prishtinë, 12 mars 2022