Kosova e heq kufizimin për mallrat nga Serbia që hyjnë në Merdar

Prishtinë, 7 tetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se në pikën kufitare me Serbinë, Merdare, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.

Ai ka thënë se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar.

“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”.

Serbia ka reaguar pas vendimit, duke thënë se është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë.

Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.

Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.

Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.

“Ka dallim të mëdha kur vijnë farërat e ndryshme, që duhen për një fermë të shpezëve, dhe ato farëra shumë kollaj kontrollohen se a ka në maune armë dhe municion. Mirëpo, kur janë produkte të gatshme, në kuti të vogla, kjo është shumë e vështirë. Nuk mund t’i hapësh të gjitha kutitë. Prandaj kemi kërkuar skanerë. Që një maune të hyjë në skanerë”.

Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.

Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

(Radio Evropa e Lirë)