Kosova e mposht Islandën edhe në ndeshjen e dytë, kalon në Ligën B të Kombeve

Murcia (Spanjë), 23 mars 2025 – Kombëtarja e Kosovës në futboll e siguroi kalimin në Ligën B të Kombeve. Ajo e mundi kombëtaren e Islandës edhe në ndeshjen e dytë të balotazhit, me rezultat 3:1 apo 5:2 në rezultatin e përgjithshshëm.

Të tri golat për Kosovën i shënoi qendërsulmuesi Vedat Muriqi, ndërsa golin për Islandën shënoi Ori Oskarson.

Ekipi i Kosovës nuk e filloi mirë ndeshjen. Ai e pësoi një gol që në minutën e dytë të ndeshjes, kur Oskarson e shfrytëzoi një situatë hutie në mbrojtje dhe shënoi nga brenda 16 metërshit, pas gjuatjes së parë nga këndi.

Por, futbollistët e Kosovës e morën veten shpejt, u mobilizuan më shumë dhe e morën kontrollin e topit në fushë. Ata krijuan disa raste shënimi, por nuk i kurorëzuan me gol, kryesisht nga ngutia për të shënuar.

Epërsia e futbollistëve të Kosovës ndaj atyre të Islandës, të cilët sot ishin pakrahasimisht më të ngadalshëm dhe më konfuzë se në ndeshjen e para tri ditëve në Prishtinë, u kurorëzua me gol në minutën e 35-të. Muriqi shënoi nga afërsia, pas një aksioni të nisur nga Rashica të cilin e vazhdoi Paçarada. 

Muriqi e shënoi golin e tij të dytë duke e kaluar kështu në epërsi ekipin e Kosovës, pothuajse në sekondat e fundit shtesë të pjesës së parë. Rashica asistoi pothuaj nga mesi i fushës për Muriqin, i cili u fut me top brenda 16 metërshit të portierit islandez dhe shënoi.

Në minutën e 79-të Muriqi e shënoi edhe golin e tij të tretë, duke e çuar në 5:2 rezultatin e përgjithshëm të dy ndeshjeve.Ai e shfrytëzoi për mrekulli një top të pasuar me kokë nga Dellova, i cili e shfrytëzoi një rrëmujë para portës së islandezëve.

Kosova ishte mysafire e Islandës, por ndeshja u zhvillua në Murcia të Spanjës, për shkak se stadium i kombëtares së Islandës është duke u rinovuar.

Ekipi I drejtuar nga austriaku Franko Foda e nisi ndeshjen me tri mungesa të rëndësishme. Portieri i parë, Arijanet Muriq, dhe mesfushori Donat Rrudhani munguan për shkak të lëndimeve të pësuara në ndeshjen e para tri ditëve në Prishtinë, ndërsa mesfushori Valon Berisha mungoi sepse ishte i sanksionuar me kartonë.

Notat e lojtarëve të kombëtares së Kosovës sipas Sofascore.

(r.m.)

Comment

*