Kosova e nderon zonjën Albright, e premtja ditë zie

Prishtinë, 24 mars 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të premten, 25 mars, ditë zie, si shenjë nderimi për ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila u nda nga jeta të mërkurën, më 23 mars.

“Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë, sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Osmani në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca.

Flamujt shtetërorë do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Madeleine Albright ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997. Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Madeleine Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, më 2012 ajo është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nder të saj.

(REL)