Podgoricë, 21qershor 2021 – Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka ngritur padi ndaj komunës së Budvës në Mal të Zi dhe ndaj kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 555 metrave katrorë tokë, në lokacionin që njihet si shëtitorja “Rafailoviq”, në rrugën Gjuro Rafailoviq, ku dikur gjendej pushimorja e fëmijëve të Kosovës “Ganimete Tërbeshi” në Beçiq adër Budvës, raporton Vijesti.
Ministria e Drejtësisë të Kosovës kërkon që gjykata të lëshojë një masë të përkohshme që e ndalon bartjen dhe tjetërsimin e tokës deri në përfundim të procesit.
Në padi thuhet se pronar legjitim dhe i vetëm i pronës është shteti i Kosovës. Asaj i është bashkangjitur edhe marrëveshja e shit-blerjes, e lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatës së Qarkut në Kotorr. Sipas marrëveshjes, ngastra prej 4 mijë e 555 metrash katrorë ishte blerë nga Këshilli për Politika dhe Çështje Sociale i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
Në atë pronë ishte ndërtuar pushimorja për fëmijë të Kosovës “Ganimete Tërbeshi”, e cila më vonë ishte shfytëzuar nga ndërmarrja “Rekreaturs”, me seli në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë kompania “Rekreaturs” e ka zhvendosur në mënyrë të paligjshme selinë e saj nga Prishtina në Budva, për ta fituar pronësinë mbi pronën e Kosovës, e cila më pas është shitur. Ndërtesa e pushimores është rrënuar dhe në vend të saj është ndërtuar një ndërtesë shumëkatëshe.
Pala malazeze e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës, nën kryesimin e Nikola Plamenac, e ka kundërshtuar padinë e dorëzuar nga shteti i Kosovës, duke kërkuar që të hidhet poshtë.
Në kundërshtimin që pala malazeze i ka bërë padisë thuhet se bazuar në dokumentacionin në dispozicion, është e pamundur të nxirret një përfundim i qartë lidhur me vërtetësinë e fletës poseduese të paraqitur nga pala paditëse.
Sipas palës së paditur, pretendimi nuk mund të mbështetet mbi Rregulloren e UNMIK-ut për Fuqitë e Administratës së Përkohshme në Kosovë dhe në Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilave u është refereuar pala kosovare në dosjen e prezantuar në gjykatë.
Kosova kërkon edhe njohjen e pronësisë për 33 mijë metra katrorë truall në gjirin e Kamenovës, po ashtu në komunën e Budvës. Në këtë pronë Kosova e kishte ngritur pushimoren për punëtorët e saj.
Qeveria e Kosovës kërkon kthimin edhe të 172 pronave të tjera në ish-republikat e Jugosllavisë. Prej tyre, 42 prona gjenden në Mal të Zi.
(r.m.)