Prishtinë, 31 dhjetor 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka shpallur person “non grata” një zyrtar rus që punon në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Lajmi u komunikua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, ka shkruar ajo.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së”, ka theksuar ministrja Gërvalla.
Kjo është hera e dytë gjatë këtij viti që Kosova i shpall persona “non grata” zyrtarë rus. Më 22 tetor, ishin shpallur të padëshiruar në Kosovë dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Prishtinë, për veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Rusia e ka hapur një Zyre Ndërlidhëse në Prishtinë në vitin 2005.
Njoftimi i plotë i ministres Gërvalla:
Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së.
Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme.
Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues