Kosova e shpalli 11 Korrikun, Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë

Prishtinë, 10 korrik 2024 – Qeveria e Kosovës shpalli 11 Korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë, në dritën e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 23 majit të këtij viti.

“Ky është veprim fisnik e i duhur, në emër të Kosovës, të universales sonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

https://x.com/albinkurti/status/1811058065388556642?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1811058065388556642%7Ctwgr%5E494a26e9f2d86f795550fd962abad5ef6ab04588%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7692800.html

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u mbajt një minut heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Kryeministri Kurti tha se gjenocidi në Srebrenicë ishte paralajmërim pë gjenocidin që u krye nga Serbia edhe në Kosovë.

Më 23 maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë që përcakton 11 korrikun ditë të përkujtimit të gjenocidit ndak boshnjakëve në Srebrenicë.

Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës e kishin pushtuar Srebrenicën, e cila ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, dhe I kishin vrarë të paktën 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Serbia dhe serbët e Bosnjës mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid, ndonëse kjo është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiç, u dënuan për gjenocid në Srebrenicë nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, me seli në Hagë.

(r.m.)