Prishtinë, 2 qershor 2021 – Prokuroritë e Kosovës dhe Shqipërisë thanë të mërkurën se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Këto komente u bënë gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje mirëkuptimi në mes të Prokurorisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë e njohur si SPAK, e cila parasheh shkëmbimin e informacioneve, të dhënave dhe provave që lidhen me rastet e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se këto dukuri po e rrezikojnë sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë por edhe në rajon.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me vende tjera të rajonit sepse e kemi parë se krimi në rajon dhe ndërkufitar është duke u paraqitur në forma të ndryshme sidomos nëpërmjet të zhvillimit të ndërmarrjeve, nëpërmjet investimeve të huaja dhe veprave të reja penale siç është pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit”, tha kryeprokurori Lumezi.
Ai tha se përveç shkëmbimit të informacioneve do të ketë edhe shkëmbim edhe të dokumenteve, analizave, raporteve dhe ligjeve të shteteve përkatëse.
Udhëheqësi i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja, tha se është e domosdoshme që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të rrisin bashkëpunimin për të pasur sukses në luftën ndaj grupeve kriminale.
“Krimi i organizuar dhe korrupsioni, pastrimi i parave janë vepra penale që kanë shtrirje të gjerë pa diskutim edhe rajonal dhe më gjerë dhe e kanë të domosdoshme bashkëpunimin e strukturave tona, për ndryshe nuk do të kemi asnjëherë sukses”, tha zoti Kraja.
Dy javë më parë, prokuroritë e dyja vendeve së bashku me autoritetet e DEA-s amerikane dhe autoritetet italiane arritën të kapin rreth 400 kilogramë lëndë narkotike të tipit kokainë dhe arrestuan të paktën 7 persona, në një operacion në komunën e Lipjanit rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.
“Jo vetëm ky rast por kemi pasur edhe rastin që ka qenë përgatitja për veprën penale të terrorizmit gjatë ndeshjes së Shqipërisë me Izraelin ku i kemi koordinuar veprimet dhe kemi marr masa dhe i kemi arrestuar personat për të cilët kemi pasur informacione se janë duke përgatitur veprën penale të terrorizmit”, tha zoti Lumezi.
Në raportin e fundit të rrjetit “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” thuhet se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka një veprimtari të shtuar të grupeve kriminale me trafikimin e azilkërkuesve dhe drogave, si dhe me pastrimin e parave përmes ndërtimeve dhe lojërave të fatit.
Ky raport thekson rrugët që shfrytëzohen për trafikimin e njerëzve nga Greqia përmes Shqipërisë deri në pikat kufitare veriore me Kosovën dhe Malin e Zi.
Në raport thuhet se trafikimi i drogave nga Shqipëria, kalon në Kukës ose Prizren, drejt Ferizajt e Gjilanit në Kosovë për të kaluar në Serbi, ku sërish paguhen kufitarët me shuma të majme eurosh. Një tjetër rrugë me rëndësi e drogave, sipas tyre, është ajo Pejë – Rozhajë drejt Novi Pazarit.
Heroina që vjen në rajon nga Turqia, thuhet në raport, në Shqipëri hyn nga Kukësi përmes Kosovës e shkon drejt Durrësit.
Ekspertë ndërkombëtarë theksojnë se paratë e pastruara çdo vit në vendet e Ballkanit Perëndimor arrijnë në disa miliarda euro, dhe se një pjesë e madhe e tyre pastrohen përmes fushës së ndërtimit.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)