Prishtinë, 23 shkurt 2022 – Qeveria e Kosovës ka përsëritur qëndrimin e saj në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për medie të ftuar enkas për këtë çështje, të mërkurën, ka bërë të ditur se zgjedhjet e Serbisë nuk mund të organizohen në Kosovë. Ajo ka thënë se serbët e Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë do tëmund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kososovë.
“Konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ajo ka treguar se qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë do të mund të votojnë në zgjedhjet e Serbisë “në zyrën ndërlidhëse në Kosovë apo me postë”.
“Qytetarëve që kanë dyshtetësi, natyrisht, ne duhet t’u ofrojmë zgjidhje, mirëpo atë zgjedhje e kemi dhënë. Ata mund të votojnë në zyrën ndërlidhëse (të Serbisë) në Kosovë apo me postë. Këto janë dy propozimet që i kemi dhënë edhe publikisht”, ka thënë ajo.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se institucionet më të larta shtetërore të Kosovës – Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca – kanë qëndrim të njëjtë për këtë çështjeje.
Ajo ka theksuar se Serbia zynon të organizojë zgjedhjet e saj në Kosovë jo sepse synon të realizojë një të drejtë të qytetarëve, por “sepse ka pretendime territoriale ndaj Kosovës”.
“Nuk i bëhet vonë (Serbisë) për të drejtat e qytetarëve. Përmes tyre ajo dëshiron të jetë në linjë me Kushtetutën e saj”, ka theksuar ajo.
Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë Kosova trajtohet sipjesë e Serbisë.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi do të mbahen më 3 prill. Autoritetet serbe kërkojnë me gulm që këto zgjedhje të mbahen edhe në territorin e Kosovës. Beogradi, nëpërmjet faktorit ndërkombëtar, ka kërkuar që Kosova të mos e pengojë votimin e serbëve në vendbanimet e tyre. Për këtë arsye ka kërkuar që për këtë çështje të diskutohet edhe në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel.
do të kërkojnë që të lejohet edhe votimi në territorin e Kosovës në zgjedhjet e Serbisë.
Zgjedhjet e deritashme të Serbisë në Kosovë janë organizuar nga OSBE, e cila i ka grumbulluar votat dhe i ka dërguar për numërim në Serbi.
OSBE ka thënë se praktika e mbledhjes së votave bazohej “në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe me pëlqimin e të gjitha institucioneve relevante”.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave nëse plotësohet ky kusht”, ka thënë OSBE në një përgjigje për Radion Evropa eLirë.
(r.m.)