Nadie Ahmeti
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë i kanë bërë thirrje donatorëve që të investojnë në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka siguruar donatorët se fondet e tyre do të shpenzohen më një transparencë maksimale dhe do të kenë efekt në përmirësimin e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, ka thënë kryeministri Thaçi, ka përcaktuar sektorin e energjisë si një sektor të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe social të vendit.
Më qëllim të zhvillimit të këtij sektori është ndërtuar një bazë e mirë ligjore dhe rregullatore në përputhje më direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian.
“Bazuar në strategjinë e energjisë, Qeveria e Kosovës është duke punuar drejt sigurimit të mjaftueshëm të dhe të përballueshëm të energjisë elektrike për gjithë qytetarët. Në këtë drejtim rëndësi të veçantë është duke i kushtuar ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, dhe rritjes së kapaciteteve transmetuese, veçmas me Shqipërinë. Qeveria po ashtu është e interesuar edhe për energjinë e ripërtritshme, në mënyrë që të ketë më pak ndotje të ambientit”, ka thënë Thaçi.
Këto komente kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, i ka bërë në Konferencën e Donatorëve për Energji të Qëndrueshme në Kosovë, që të martën është mbajtur në Prishtinë.
Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë.
Konferenca ka për qëllim t’i japë shtytje dhe të sigurojë mbështetje për projektet në fushën e energjisë me fokus Burimet e Ripërtritshme të Energjisë dhe Efiçiencën e Energjisë që të ketë më pak ndotje e ambientit.
Ndërkaq, Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve, ka thënë se mungesa e energjisë elektrike ka qenë ngërç për zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.
“Shfrytëzimi i resurseve të ripërtritshme dhe përdorimi efiçinet i energjisë duke tërhequr investime të huaja do të mund të kthente këtë sektor në shtytës kryesor të rritje dhe jo të shterjes dhe përfundimisht ky sektor të mos jetë barrë për buxhetin publik”, tha ministrja Çitaku.
Me zhvillimin e këtyre dy fushave do të kontribuonte në sigurimin e mjaftueshëm të energjisë dhe në anën tjetër do të kontribuonte në ruajtjen e mjedisit dhe ndotjen e mjedisit.
Ndërkaq, drejtoresha shtetërore për Evropën Juglindore nga Banka Botërore, Ellen Goldstein, tha se në përgjithësi, projektet në zhvillim dhe ato të planifikuara të Bankës Botërore janë rreth 55 milionë dollarë, në veçanti në fushën e energjisë së ripërtërishme, efiçiencën në energji, dhe menaxhimin e mjedisit në sektorin energjetik.
“Kjo është tre herë më shumë sesa shuma e pritur për teknologjinë e bazuar në qymyr, dhe do të përdoret që të shtoj goxha më shumë mjete financiare nga sektori privat, dhe që të krijoj një politikë mjedisore e cila është e përshtatshme për investime më të mëdha private në fushën e energji së ripërtëritshme dhe eficiencës energjetike”, u shpreh Goldstein.
Daniel Rosenblum nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve tha se qeveria ka miratuar një strategji pesë pikëshe për të siguruar energji dhe njëra ndër pikat është edhe energjia e ripërtëritshme.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për zgjerim nga Komisioni Evropian, Joost Korte, sigurojë përkrahje për të ngritur kapacitetet e saj në fushën e energjisë së ripërtritshme dhe atë të efiçiencës së energjisë.
Ai tha se ndërtimi i termocentralit të “Kosova e Re” duhet të shkojë paralelisht me atë të mbylljes së termocentraleve ndotëse.
Kurse ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, tha se Kosova do t’i kalojë normat e kërkuara prej 20% të energjisë së ripërtëritshme.
“Kosova do t’i plotësojë 25 % të nevojave me energji efiçiente dhe kjo do të arrihet përmes bimoasës, energjisë solare përkatësisht diellore dhe të erës”.
Pjesëmarrësit në konferencë njoftuan se do të punohet që deri në vitin 2017 të largohet nga puna termocentrali “Kosova A” ndërsa në vitin e ardhshëm të bëhet zgjedhja e kompanisë fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”