Prishtinë, 5 janar 2023 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë pretendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se disa shtete kanë tërhequr njohjet e tyre ndaj Kosovës.
Kjo ministri, në krye të së cilës është Donika Gërvalla Schwarz, përmes një njoftimi të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, thotë se pretendimi i Vuçiqit nuk është vërtetuar.
“Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Gjithashtu kjo ministri ka theksuar se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zgjidhen “me dialog dhe jo me fushata destruktive mediale”.
“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media më 4 janar, deklaroi se është duke pritur nga shteti i dhjetë, që sipas tij, të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, ai nuk e saktësoi se për cilin shtet bëhet fjalë.
Vuçiq pretendoi se tashmë nëntë shtete i kanë tërhequr njohjet e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.
Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë, që autoritetet e Kosovës shpallën më 2008.
Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ishte pajtuar që për një vit të ndalonte përpjekjet për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova ishte pajtuar që brenda kësaj periudhe të mos aplikonte për anëtarësim në ndonjë mekanizëm apo institucion ndërkombëtar.
Pas skadimit të këtij moratoriumi, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të vazhdojë respektimin e tij.
(REL)