Kosova i ofron SHBA-së bazë të përhershme ushtarake

Uashington, 15 tetor 2021 – Qeveria e Kosovës u ka ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

 Oferta në emër të qeverisë është bërë nga ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, gjatë vizitës në Pentagon, ku është takuar me Nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl.

Mehaj ka thënë se kjo ofertë shpreh interesimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dhe avancimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nën-Sekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai ka thënë se nën-sekretari Kahl e ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin dhe për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë.

Mehaj ka thënë gjithashtu se nën-sekretari amerikan i Mbrojtjes. Dr Colin Kahl , e ka vlerësuar shumë edhe misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt dhe pjesëmarrjen e FSK-së në Stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21”.

Ai ka thënë se nënsekretari Kahl e ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për integrimin eKosovës në strukturat euro-atlantike, duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE mbetet lart në agjendën e administratës amerikane.

Ministri Mehaj ka thënë se nën-sekretari Kahl ka theksuar se SHBA do të vazhdojë përkrahjen për avancimin e kapaciteteve të FSK-së për të rritur edhe më shumë rolin e Kosovës në rusajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se nënsekretarin Kahl e ka njoftuar me zhvillimin e FSK-së dhe ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe global.

(r.m.)