Prishtinë, 22 tetor 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Doasporës (MPJD) e Kosovës ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë nga Kosova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten (22 tetor) se dy diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe janë urdhëruar të largohen nga vendi.
Ajo bëri të ditur se zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla i kakërkuar t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë, për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.
“MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rusë persona të padëshirueshëm dhe, në të njëjtën kohë, i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.
Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe të “satelitëve të saj” në rajon, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, shkruan ajo.
“I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”, theksoi presidentja Osmani.
Në njoftim nuk thuhet se cilat kanë qenë aktivitetet e dy zyrtarëve rusë që i kanë shtyrë autoritetet e Kosovës t’i shpallin persona të padëshirueshëm.
Zyra ndërlidhëse ruse në Kosovë është hapur në vitin 2005. Në hapjen e saj kishte marrë pjesë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Rusia, e cila mbetet aleatja më e afërt e Serbisë, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me arsyetim se pavarësia e saj është shpallur “në mënyrë të njëanshme” dhe nëkundërshtim metë drejtën ndërkombëtare.
(r.m.)