Kosova kërkon tërheqjen e forcave ushtarake të Serbisë nga zona kufitare me të

Prishtinë, 30 shtator 2023 – Qeveria e Kosovës tha se forcat e ushtrisë së Serbisë kanë lëvizur në drejtim të kufirrit me Kosovën nga tri drejtime. Në deklaratën e saj për publikun, Qeveria tha se njësitet e Brigadës së Dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të Kosovës, njësitë e Brigadës së Tretë nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor, kurse njësitë e Brigadës së Katërt nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Kosovës. Ajo tha se Serbia i ka shtuar kapacitetet e saj ushtarake dhe të xhandarmërisë edhe në 48 bazat operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë në zonën kufitare me Kosovën, ku ka vendosur edhe sisteme kundër-ajrore dhe artileri e rëndë.

Qeveria e Kosovës theksoi se grumbullimin e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën përbën kërcënim serioz për Kosovën.

“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”, tha Qeveria e Kosovës.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve të Serbisë që menjëherë t’i tërheqin të gjitha trupat nga vija kufitare me Kosovën dhe t’i mbyllin bazat ushtarake dhe bazat e xhandarmërisë nga kjo zonë.

Deklarata e plotë e Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës.

Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.

Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.

I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm.

Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.

Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë.

(r.m.)