Kosova kremton 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Prishtinë, 28 nëntor 2024 – Sheshi qendror i Prishtinës të enjten ishte plot me qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, të cilët po kremtonin 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që në Kosovë tradicionalisht kremtohet si ditë e flamurit kombëtar shqiptar.

“Unë jam Selvie Kasumi, dje kam ardhur nga Zvicrra meqë atje jetoj por kam ardhur posaçërisht për këtë festë, për 28 nëntorin. Kudo që të jemi, jemi krenar që jemi shqiptarë. Uroj të gjitha të mirat për popullin shqiptar kudo që janë”.

“Është dita e pavarësisë sonë, është dita më e rëndësishme. Rroftë populli shqiptar, rroftë Shqipëria etnike dhe gjithë gjaku jonë”, tha Ardian Latifi, i cili kishte ardhur nga Gjermania për të kremtuar në Prishtinë.

“Është shumë e rëndësishme sepse luftën e kemi fituar dhe duhet ta fitojmë edhe paqen, sa më shumë të bashkohen shqiptarët nga të gjitha trevat është shumë e rëndësishme për ne dhe të bëhemi një”, tha Anesa Veseli nga Mitrovica.

“28 nëntori është ditë dhe festë e veçantë, është kurorzimi i të gjitha përpjekjeve, sakrificave dhe aspiratave të kombit shqiptar. Historikisht që nga Kruja e Skenderbeut, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nga kuvendi historik i Vlorës edhe me daljen ne skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçmas me sakrificën e veçantë të komandantit legjendar Adem Jashari”, tha Xhemajl Peci i cili gjithashtu kishte ardhur nga Londra për t’u bërë pjesë e kremtimeve në Prishtinë.

“Dita e flamurit është për të gjithë shqiptarët anembanë botës, ua uroj festën e flamurit 28 nëntorin”, tha Edon Haziri.

Udhëheqësit politik të Kosovës në përgëzimet e tyre vlerësojnë se festa e flamurit është një prej vlerave më të mëdha të kombit shqiptar.

“Jemi pikërisht në këtë ditë të bekuar, në ditën e flamurit tonë kombëtar e cila mori inspirim nga kthimi i Skënderbeut në Krujë, vazhdoi me shpalljen e pavarësisë në Vlorë, vazhdoi me çlirimin e Kosovës përmes luftës së lavdishme të UÇK-së dhe komandantit legjendar Adem Jashari dhe sot vetëm mund të urojmë që festofshim si shqiptarë gjithmonë të lirë e gjithmonë krenar”, tha kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca pas homazheve te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë.

28 nëntorin shqiptarët e Kosovës e kremtojnë edhe si ditën e daljes së parë publike të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 dhe ditëlindjen e komandantit të saj Adem Jashari.

28 nëntori nuk është përfshirë në festat shtetërore të Kosovës, por radhitet në mesin e festave përkujtimore si festë e shqiptarëve.

(Zëri i Amerikës)