Kosova kryen pagesën e parë për raketat “Javelin”

Prishtinë, 31 maj 2024 – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pritet të furnizohet së shpejti me systemin raketor antitank “Javelin”.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se tashmë është kryer pagesa e parë për 246 raketa të këtij lloji, me vlerë prej 75 milionë dollarësh.

“Ne jemi në proces për blerjen, pra prokurimin e këtij sistemi. Ne kemi ekzekutuar tanimë pagesën e parë për këtë sistem, pra që nënkupton se jo vetëm që është miratuar, por jemi në proceset në vazhdimësi për të pasur në inventarin tonë këtë sistem. Pra, është çështje e kryer. ‘Javelin’ do të jetë pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.

Më 11 janar të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit e miratoi që Kosovës t’i shitem 246 sisteme raketore antitak Javelin”, me vlerë prej rreth 75 milionë dollarësh. Departamenti i Shtetit pati deklaruar se shitja e armëve Kosovës është në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Në shkurt të këtij viti, rekomandimi i Departamentit të Shtetit u miratua nga Kongresi Amerikan, kështu që mori rrugë furnizimi i FSK-së me “Javelin”.

Serbia kishte reaguar ashpër ndaj miratimit të kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, duke e cilësuar si “kërcënim” për sigurinë e Serbisë.

Sistemi raketor “Javelin” që drejtohet automatikisht dhe arrin distancën deri në 4.000 metra u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë. 

Ministri Maqedonci ka thënë se furnizimi i FSK-së me “Javelin” është pjesë e programit për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. 

“Në vitin 2023 buxheti ka arritur në kuotën prej mbi 2 për qind, diku 204 milionë euro, që nënkupton që jemi në kuotën që synohet edhe nga vendet e tjera të NATO-s e që ende nuk e kanë përmbushur. Gjithë kjo ka ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe disa prej sistemeve që kanë qenë të parapara të blihen në fazën e mëvonshme janë blerë në këtë fazë”, është shprehur Maqedonci. 

Përveç SHBA-së, mbështetëse të armatosjes së Kosovës janë edhe Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Kroacia.

(r.m.)