Prishtinë, 22 shkurt 2022 – Qeveria e Kosoves mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, deklaroi të marën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ku deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e Qeverisë sa i përket situatës në Ukrainë, Kurti tha se Kosova do të jetë “përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tha se kriza me Ukrainën mund ta afektojë shumë shpejt edhe rajonin.
“Pas një seri të fjalimeve dhe thirrjeve të liderëve botëror të vazhdueshme lidhur me rrezikun, presidenti rus ka urdhëruar trupat ruse që të hyjnë në Ukrainën Lindore. Kemi edhe vrasjet e para të ushtarëve ukrainas. Këtij veprimi i ka paraprirë njohja e pavarësisë së dy provincave. Ky është një moment i ri i krijuar në strategjinë e proklamuar nga Rusia për një rregull të ri të sigurisë në kontinentin e Evropës”, tha ai.
Ai tha se është urgjente që institucionet kosovare të sigurisë të shqyrtojnë dhe të monitorojnë me kujdes situatën me të cilën është duke u ballafaquar bota.
“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate të jemi të bashkuar përballë një krize që mund – në mënyrë direkte apo indirekte – të na prekë të gjithë neve dhe rajonin”, tha Abazi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Kosova duhet të ndjekë veprimet e SHBA-së.
“Për shkak të historisë, duhet të jemi solidarë me popullin e Ukrainës që po e mbron pavarësinë e vendit të vet. Duhet ndoshta edhe ta miratojmë një rezolutë, e dyta, Ukraina është fronti i parë, e Ballkani i dyti. Ne jemi vija e parë në Ballkan. Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe së treti, nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, Qeviera duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, tha ai.
Në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial doli edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës. Ajo u bëri thirrje botës demokratike që t’i përgjigjet me vendosmëri agresionit rus në Ukrainë.
“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putin, edhe një herë, po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovvë në Twitter.
Kosova 🇽🇰 stands with Ukraine 🇺🇦 against Russia’s outright aggression. Putin is once again waging war against a peaceful democracy. He has been waging hybrid wars against democracies across Europe for many years. The free world must respond to Putin and his proxies with resolve.
— MFA Kosova 🇽🇰 (@MFAKOSOVO) February 22, 2022
(r.m.)