Kosova midis zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhjeve të reja

Prishtinë, 3 prill 2021 – Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit u thirr me gjithë mëdyshjet se Lëvizja Vdetëvendosje nuk e ka tërhequr projektligjin për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve për të miratuar në procedurë të përshpejtuar këtë projektligj, i cili shkaktoi përplasje të ashpra mes shumicës dhe opozitës në komisionin parlamentar për legjislacion dhe në seancën plenare.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila kishte vendosur të merrte pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit tha se nuk do të merrte pjesë në seancën e votimit, në qoftë se Kurti nuk e tërheqet projektligjin për Zgjedhjet.

Ky kusht i LDK-së e shtyri Albin Kurtin të deklarojë se ka hequr dorë nga nisma për miratimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji. Kjo u bë e ditur pas takimit që zhvilluan të shtunën paradite të ushtruesit të  detyrës së Presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti dhe ME kandidaten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani .

“Ata (Kurti dhe Osmani) më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore. Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, thuhet në një komunikatë të ushtruesit të detyrës së presidentit.

Por, LDK bëri të ditur se deputetët e saj nuk do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit në qoftë se projektligji nuk tërhequr në mënyrë zyrtare para fillimit të seancës.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, bëri të ditur se Lidhjes Demokratike të Kosovës i është kërkuar garanci se do të marrë pjesë në votimin për presidentin në mënyrë që të tërhiqet projektligji për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas këtyre pozicioneve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbetet e paqartë nëse në votimin për presidentin e vendit do të marrin pjesë së paku 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Pjesëmarrja e deputetëve të LDK-së në votim është vendimtare për procesin e zvgjedhjes së presidentit të vendit. Pa pjesëmarrjen e tyre në votim, Lëvizja Vetëvendosje dhe komunitetet joserbe në Kuvend nuk mund të sigurojnë më shumë se 67 vota. Me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve të LDK-së do të sigurohej kuorumi i nevojshëm për votim të vlefshëm për presidentin.

Mospjesëmarrja e deputetëve të LDK-së në votim do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, pasi dy partitë tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë katëgorike kundër pjesëmarrjen në procesin e votimit të Vjosa Osmanit për presidente.

(r.m.)