Kosova mund të përballet me krizë energjetike gjatë dimrit

Prishtinë, 27 korrik 2022 – Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar dimër “shumë të pasigurt”, për shkak të gati dyfishimit të çmimeve në berzë brenda muajit korrik.

Në njoftimin për media të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) thuhet se kriza e thellë energjetike në Evropë ka prekur edhe Kosovën.

Sipas KEDS-it, në javën e parë të korrikut çmimi në berzën e Hungarisë – HUPX ishte 348 euro për megavat, kurse në javën e fundit të korrikut çmimi është rritur në 735 euro për megavat.

“Rritja e kërkesës në njërën anë dhe zvogëlimi i prodhimit në anën tjetër kanë bërë që anekënd Evropës të fluturojnë çmimet e energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Sipas KEDS-it, pos çmimeve enorme, nevoja për energji elektrike ka kufizuar ndjeshëm edhe mundësitë tregtare.

“Në tenderët që kemi zhvilluar së fundmi, në shumicën e rasteve nuk kemi pranuar asnjë ofertë. Në rast oferte shfaqen çmime ekstra të larta sipas kushteve të tregut”.

“Krijimi i këtyre situatave qysh verës, bën që të mbizotërojë një situatë shumë e pasigurt. Prandaj, në këto rrethana i lusim konsumatorët që të krijojnë mekanizma kursimi dhe të orientojnë ngrohjen e hapësirave të tyre të banimit nga format alternative për stinën e dimrit”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja e këtyre veprimeve, sipas KEDS-it, ul ndjeshëm nevojën për import dhe rrit të njëjtën kohë sigurinë e furnizimit, që varet shumë edhe nga stabiliteti i prodhimit vendor.

Në fillim të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) ka bërë disa rekomandime se si mund të kursehet rryma.

“Aktivizimi i makinave për larjen e rrobave, si dhe i atyre për larjen e enëve gjatë natës, me tarifa të ulëta, është vetëm një nga metodat që do të kursente energjinë elektrike”, thuhet në një udhëzim të ZRRE-së.

Një tjetër rekomandim thotë se akumulimi i nxehtësisë në termot ngrohëse, mund të bëhet gjatë natës me tarifa të ulëta, ndërsa bojleri mund të përdoret vetëm atëherë kur nevojitet.

ZRRE-ja jep edhe këshilla të tjera, si për shembull: mosvendosjen e frigoriferit afër burimeve të nxehtësisë dhe fikjen e dritave në hapësira që nuk shfrytëzohen. ZRRE-ja, po ashtu, rekomandon që të përdoren poçe elektrike kursyese dhe drita të neonit.

Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, më 8 shkurt, ka miratuar tarifa më të shtrenjta të rrymës, që është thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Shtrenjtimi, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji.

(REL)