Fjala e mbajtur në veprimtarinë për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga shoqata “Bijtë e shqipes”
Nga dr. Sadik Elshani

Shtatëmbëdhjetë shkurti i vitit 2008 është dita më e shënuar në historinë e lavdishme të Kosovës. Në këtë ditë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës të mbledhur në Kuvendin e Kosovës e shpallën pavarësinë e vendit – Kosova u bë e “lirë, më vete dhe e mosvarme”. Ishte ky një rrugëtim i gjatë me plot vuajtje, sakrifica, përpjekje mbinjerëzore e luftëra të pandërprera e të përgjakshme për liri e pavarësi. Është ky një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftërave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve e sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave atdhetare e përparimtare, luftës heroike të UÇK-së, punës së madhe të diasporës shqipare dhe sidomos ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nentor 1912, kjo është ngjarja e dytë më e madhe në historinë shumëshekullore të kombit tonë.
Kosova vuajti shumë gjatë historisë së saj. Kosova, e cila që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë qendra e nacionalizmit shqiptar, kështjellë e qëndresës shqiptare, vatër e kryengritjeve për lirinë e Shqipërisë, vetë mbeti jashtë kufijve shtetëror të shtetit të cunguar shqiptar. Me vendimin e padrejtë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, më shumë se gjysma e tokave dhe popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni e Sanxhak iu dhanë Serbise, pjesa tjetër Malit të Zi, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Për shqiptarët regjimi serb ishte shumë më i egër se ai turk. Në periudhën në mes teë dy luftërave botërore (1918 – 1941), shqiptarët në të ashtuquajturën Mbretëri e Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve po perjetonin një shtypje të padurueshme, të egër e çnjerëzore. Në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës kjo periudhë njihet si “Koha e Serbisë”. Dhuna ishte bërë pjesë e përditshme, e pandarë e jetës së shqiptarëve. Dhuna ushtrohej në të gjitha mënyrat fizike e shpirtërore vetëm e vetëm për ta bërë jetën e shqiptarëve sa më të mjerueshme dhe për t’i detyruar ata që t’i braktisnin trojet e tyre e të shpërnguleshin në Turqi, ndërsa në vend të tyre t’i sillnin kolonët serbë e malazezë. Po zbatohej me përpikëri plani famëkeq, “Memorandumi” i akademikut, po ashtu famëkeq, Vasa Çubriloviq. Nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, gjuha shqipe ishte e ndaluar në jetën publike dhe në administratë. Thënë shkur,t pushteti serb donte që t’i zhdukte shqiptarët nga faqja e dheut. Vetëm fillimi i Luftës së Dytë Botërore e ndali këtë valë shkatërrimi, sepse Jugosllavia u shpërbë, u pushtua nga Gjermania në prill të vitit 1941. Pra, “Kohes se Serbise” i erdhi fundi dhe erdhi “Koha e Shqipnisë”. Pas 30 viteve nën sundimin e egër serb, tani Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish-Jugosllavi iu bashkuan Dheut Mëmë, shqiptarët po merrnin frymë pak më lehtë. U hapën shkollat shqipe, u vendos administrata në gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë, me prefektë e nënprefektë shqiptarë. Përsëri po valonte Flamuri kuqezi! Thirrjes së ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjen qindra mësues atdhetarë dhe shkuan vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mesues që kishin kryer Normalen e Elbasanit. E gjetën Kosovën ashtu siç e kishin paramenduar: kreshnike, kështjellë burrerie e trimërie, djep të shqiptarizmit. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishmë në historinë e Kosovës, e cila e hodhi farën e arsimit shqip, e ngriti ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare. Shumë më vonë, më 15 shkurt të vitit 1970, do të themelohet Universiteti i Prishtinës që u bë një vatër diturie për të gjithë shqiptarët që jetonin në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Aty u arsimua dhe u edukua rinia shqiptare, duke u brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë, aty u krijua intelegjenca shqiptare. Aty u zhvilluan demonstratat studentore të vitit 1968 dhe më vonë ato të vitit 1981, të cilat i dridhen themelet e shtetit jugosllav. Rrugëtimi historik, “portreti” i Kosovës mund të përmblidhet edhe vetëm me tri vargje të një poezie time trivargjëshe:
E lyer në gjak
E etur për liri
Historia kurrë s’të futi në gji.
Historia, për fatin tonë të keq, kurrë nuk ishte në anën tonë.Por, megjithatë, shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare që mbetën jashtë kufirit shtetëror kurrë nuk i ndalen përpjekjet, luftërat për liri e pavarësi. Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe gjithë shqiptarinë kujtojmë ngjarje të lavdishme, gra e burra, figura të ndritura të kombit tonë, që bënë çdo përpjekje njerëzore, madje duke sakrifikuar edhe jetën e tyre. Kujtojmë e nderojmë Sylejman Vokshin, Ymer Prizrenin Dedë Gjo Lulin, Isa Boletinin, Idriz Seferin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Shotë e Azem Galicën, Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Ukshin Hotin, dr. Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin e shumë e shumë të tjerë. Lista me emrat e atyre që luftuan me pushkë e me penë është e gjatë, ngjarjet që çuan deri në fitoren përfundimtare të Kosovës janë të shumta. Por, sonte këtu, në historinë më të re të Kosovës do ta veçoja presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, i cili me guxim, durim, mençuri e vizion të qartë i priu popullit të Kosovës në një periudhë mjaft të vështirë historike. E ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, lidhi aleanca me vendet më demokratike e më të fuqishme të botës dhe siguroi përkrahjen, mbrojtjen e tyre. Aleanca të tilla janë jetike për popujt e vegjël siç është populli yne. Këtë rruga na ka treguar edhe vetë Skënderbeu shekuj më parë. Do të veçoja komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrificën sublime të tij dhe të familjes së tij, si dhe të gjithë ata mijëra djem e vajza, burra e gra që luftuan me armë në dorë për t’i dalë zot vendit, për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, nderin dhe dinjitetin e familjeve shqiptare.
Këtë radhë historia ishte në anën tonë, dhe shqiptarët me punën, luftën e tyre dhe përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë e fituan lirinë e shumëpritur. Shpërbërja e Jugosllavisë ishte rasti më i volitshëm për shqiptarët për t’i arritur synimet e tyre shekullore për liri e pavarësi. Krimet makabre ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare, arroganca dhe gabimet e armikut tonë kundrejt ndëerkombëtarëve e përshpejtuan ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Po ta kishte nënshkruar Serbia Marrëveshjen e Rambujesë, ndoshta historia jonë do të ishte disi pak më ndryshe. Dikush ka thënë se arma më e fuqishme është rasti i duhur, rasti i përshtatshëm, dhe shqiparët e shfrytëzuan mirë këtë rast historik, Prandaj, është me shumë rëndësi të kemi udhëheqës guximtarë, largpamës, që nuk ngurrojneë të marrin nganjëherë edhe vendime të vështira. Kosova u ringjallë nga hiri si Feniksi, ai shpendi mitologjik që në mënyrë ciklike ringjallet, lind nga hiri i vet.
Historia e Kosovës, historia e popullit shqiptar është një histori e lavdishme. Por, nuk mund të jetojmë vetëm me lavdinë e së kaluarës, sado e lavdishme qoftë ajo. Secila kohë i lind heronjtë e vet, secila periudhë historike ballafaqohet me sfida të natyrave të ndryshme. Hallet dhe problemet e Kosovës nuk kanë mbaruar me shpalljen e pavarësisë. Tani ballafaqohemi me sfida të një natyre tjetër: ndërtimi i vendit, ngritja e institucioneve funkcionale shtetërore, ndërtimi i një shoqërie të lirë e demokratike ku të gjithë qytetarët i gëzojnë të drejtat e barabarta, të drejtat njerëzore. Bukur e ka thënë Mit’hat Frashëri: “Në robëri puna le të jetë lufta e juaj – në liri lufta le të jetë puna e juaj”.
Populli ynë ka vuajtur shumë ndër shekuj, tani kemi nevojë për qetësi, paqe, të ecim përpara drejt anëtarësimit në NATO, integrimeve euroatlantike si pjesëtar të denjë të familjes së madhe evropiane. Për t’i përmbushur këto synime duhet të angazhohemi të gjithë. Udhëheqësit e shtetit, drejtuesit e organeve shtetërore, parrtive politike duhet të heqin dorë nga zënkat meskine, fyerjet, sharjet e akuzat e ndërsjella dhe t’u rreken me përkushtim e këmbëngulje çështjeve madhore të kombit tonë. Në qendër të vëmendjes duhet të kenë gjithmonë mirëqenjen e vendit e të popullit tonë e jo joshjet e lakmitë e tyre vetjake, pasurimin në kurrz të popullit, pasurimin e paligjshëm. Duhet t’i ruajmë, t’i zgjerojmë e t’i forcojmë edhe tepër aleancat, marrëdhëniet e mira me vendet perëndimore, sidomos ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ata janë çlirimtarët tanë, garantuesit e pavarësisë së shtetit tonë. Atyre gjithmonë duhet t’u jemi vetëm mirënjohës, përkrahja dhe mbështetja e tyre është jetike për qëndrueshmërinë e jetëgjatësinë e shtetit të Kosovës. Respekti e mirënjohja nuk janë servilizëm, siç mendojnë disa, por janë fisnikëri, virtyte të larta njerëzore.
Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe kombin tonë, shtetit të dytë shqiptar i urojmë mbarësi e përjetësi. Gëzuar!
Sadik Elshani, Philadelphia, 15 shkurt 2025