Tbilisi (Gjeorgji), 8 qershor 2021 – Kosova do të jetë në mesin e tri shteteve të para që do pranojnë kontigjentet e vaksinave për imunizim ndaj koronavirusit të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndër tri vendet e para që do të pranojnë vaksina nga SHBA-ja janë edhe Ukraina dhe Gjerogjia.
Ambasada e SHBA-së në Gjeorgji, nëpërmjet një komunikate për medie,ka bërë të ditur se përzgjedhja e shteteve përfituese është bërë dukeu bazuar në përparësitë dhe prioritetetet rajonale.
“Këtë javë Presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë vaksinat COVID-19 me Gjeorgjinë.
Gjeorgjia, Ukraina dhe Kosova janë tri vendet e para evropiane që do të marrin vaksina nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në përparësitë dhe në partneritetet rajonale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Turje, në komunikatë thuhet se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë së goditur nga pandemia në këto shtete.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para disa ditësh, pati njoftuar se Presidenti Biden i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së saj për dhurimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Zonja Osmani pati shprehur mirënjohje të thellë për vendimin e administratës së Bidenit që ta përfshijë Kosovën në mesin e shteteve të cilave do t’u dhurohen vaksina kundër koronavirusit.
“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, pati njoftuar Osmani.
(r.m.)