Kosova nuk mund të kërkojë mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së

Prishtinë, 5 maj 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, nuk janë përfshirë në debatin publik lidhur me mundësinë e dhënies së garancive për lirim nga paraburgimi të katër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së dhe as nuk u janë përgjigjur akuzave të opozitës se ata nuk kanë bërë asgjë për të mundësuar lirimin nga paraburgimi të të akuzuarve nga Prokurori i Secializuar.

Në vend të Presidentes dhe të Kryeministrit, interesimit të medies u janë përgjigjur këshilltari i presidentes për media, Bekim Kupina, dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kupina ka thënë se Kosova nuk mund të jetë garantuese për mbrojtjen në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.

Ndërkaq, Kryeziu ka thënë se, sipas dispozitave ligjore në  fuqi, Kosova nuk mund të bëhet garant për të akuzuarit nga Gjyakata Speciale.

“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, ka thënë Kryeziu, në një përgjigje me shkrim.

Edhe Kryeziu e ka përmendur refuzimin e ksërkesës së gjyqtarit Kai Ambos nga Paneli i Apelit të Gjykatës Speciale.

“Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por, Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”, ka theksuar ai.

“Krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”, ka theksuar Kryeziu.

Sipas Ligji për Themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një shteti të tretë mund të ofrojë garanci për “të marrë dhe, nëse është e nevojshme, për të monitoruar një të dyshuar”.

Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Kosova nuk mund të japë garancitë që nuk i janë kërkuar nga Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale nuk ka kërkuar garancione dhe institucionet e Kosovës nuk mund të japin garancione të tilla në këtë fazë”, ka shkruar Miftaraj, në një postim në rrjetet social.

Miftaraj ka thënë gjithashtu se vendet sponsorizuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk mund të janpin  garanci për të akuzuarit sepse kjo do të konsiderohej si ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës.

“Shtetet e fuqishme qe kane qenë sponzorizues dhe promovues të Gjykatës Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrje në procesin gjyqësor, për shkak se kjo gjykatë financohet kryekëput nga këto shtete, prokurorët dhe gjykatësit vijnë mu nga këto shtete”, ka shkruar ai.

Ditët e fundit, në adresë të Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti u drejtuan kritika të forta publike, sidomos nga një pjesë e opozitës. Sipas kritikëve, Presidentja dhe Kryeministri apo Qeveria duhet të kishin dhënë garancione për praninë e të akuzuarve për krime lufte në procesin gjyqësor ndaj tyre.

Zonja Osmani dhe zoti Kurti u vunë në shënjestër të akuzave publike pas vendimit të Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë për refuzimin e kërkesave për mbrojtje në gjendje të lirë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestuan në nëntor të vitit të shkuar dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Të gjithë të auzuarit i kanë hedhur poshtë akuzat në paraqitjet e parë të tyre para gjykatësit të procedurës paraprake.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Gjykatësi i Procedurës Paraprake parashikojnë që procesi gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së të fillojë në vjeshtë, por mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar më shumë kohë për hetimin e akuzave dhe për sigurimin e provave shfajësuese për të akuzuarit.

(r.m.)