Prishtinë, 13 maj 2024 – Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk do të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë as në mbledhjen që do të mbahet këtë javë.
Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin nga zyra për media e Këshillit të Evropës.
Në një përgjigje me shkrim në pyetjen se a do të jetë Kosova pjesë e agjendës së takimit të Komitetit të Ministrave, thuhet se këtë nuk mund ta konfirmojnë.
“Jo, nuk mund ta konfirmoj këtë. Nuk është në rendin e ditës”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Evropës.
Takimi i Komitetit të Ministrave pritet të mbahet të premten më 17 maj.
Ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Në agjendën e takimit janë përfshirë masat që KE-ja vazhdon t’i marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.
Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkesat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është deklaruar ditë më parë dhe kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.
(Telegrafi)