Prishtinë, 14 prill 2021 – Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa të reciprocitetit për secilin shtet, përfshirë edhe Serbinë. Nga ekzekutivi thonë se një masë e tillë do të vendoset në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme, të cilat, sipas tyre, shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e arsyeton një veprim të tillë si obligim të qeverisë dhe kryeministrit, Albin Kurti në mbrojtje të qytetarëve dhe interesave të shtetit të Kosovës.
Kryeziu nuk ka treguar për Radion Evropa e Lirë se kur mund të pritet një vendim për çështjen e reciprocitetit, por ka shtuar se vendimi do të merret me kohë.
Për shkak të mospranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntorin e vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur taksë doganore, fillimisht 10 dhe më pas 100 për qind, ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Nga qeveria pasuese, e udhëhequr nga Kurti, më 31 mars, 2020 taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë, gjë që nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkim Evropian. Heqja e kësaj mase ishte vendimi i parë i pasardhësit të Kurtit, Avdullah Hotit, i cili e hoqi reciprocitetin më 6 qershor, gjë që mundësoi rinisjen e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
Pasojat e mundshme nga reciprociteti
Me idenë e vendosjes së masave të reciprocitetit pajtohet edhe profesori i ekonomisë, Musa Limani.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se reciprociteti duhet të vendoset menjëherë ndaj Serbisë, por ai tërheqë vërejtjen që një vendimi të tillë nuk duhet t’i jepet konotacion politik.
“Ne duhet të marrim masa të njëjta me secilin shtet, jo vetëm ndaj Serbisë, masa të njëjta sikur që ata i zbatojnë për mallrat apo diçka tjetër. Reciprocitetin e kanë të gjitha shtetet e botës. Nuk jemi vetëm ne të vetmit që bëjmë diçka të tillë”, thotë Limani.
Megjithatë, profesor Limani thotë se nga masa e reciprocitetit, Kosova “mund të ketë disa pasoja”.
“Ne kemi një import të madh të mallrave nga Serbia, si për lëndën e parë apo edhe për produktin final. Në fillim mund të ketë ndonjë problem por bizneset e Kosovës kanë kontakte dhe janë të orientuar edhe në tregje të tjera, tregu është i hapur. Përkundrazi, unë mendoj se në këtë rast Kosova përfiton sepse fillon të rritet konsumi i produkteve vendore”, thekson Limani.
Masa e reciprocitetit në fushën e tregtisë, nëse vendoset nga Qeveria e Kosovës, të parët që do të mund t’i prekte janë kompanitë kosovare, të cilat furnizohen jashtë vendit me lëndë për prodhimin e tyre.
Kompanitë, të ndara rreth reciprocitetit
Kompania e lëngjeve “Laberion”, aktualisht furnizohet në Serbi për një pjesë të materialit ambalazhues.
Pronari i kësaj kompanie, Bashkim Osmani tha për Radion Evropa e Lirë, se në rast të një mase të re reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të detyrohen të furnizohen nga shtetet tjera.
“Reciprociteti nuk na pengon. Na e rrit koston e produktit (ambalazhit), e rrit koston e transportit, por janë të mundshme alternativa të tjera të cilat janë funksionale”, tha Osmani.
Ndërkaq, Gojart Kelmendi, është udhëheqës i një kompanie të letrës në Kosovës. Ai thotë në tregun e Kosovës mund të gjesh mallra të prodhuara në Serbi, por mallrat e Kosovës nuk shiten në Serbi.
“Ata shesin te ne lëndën e parë, produkt të gatshëm ose gjysmë-produkt. Të gjitha i shesin e ne nuk mundemi. Çka do që është produkt final në Kosovë nuk mund të vendoset në dyqanet e Serbisë”, thotë Kelmendi.
Sipas Kelmendit, moszbatimi i një sërë marrëveshjeve, që janë arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, po ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Ndërkaq, pronari i kompanisë “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, tha se çdo veprim që merr qeveria, duhet të reflektojë edhe interesat e ekonomisë së vendit.
“Çdo reciprocitet e dëmton në radhë të parë ekonominë prodhuese sepse shumica e repro-materialeve që bazohen prodhuesit, e kanë bazën, për fat të keq në Serbi. Edhe nëse merret një vendim i tillë, duhet dhënë afat 30-ditor në mënyrë që prodhuesit të gjejnë rrugë tjera të bashkëpunimit edhe pse bashkëpunimi ekonomik mes shteteve të rajonit është vështirësuar shumë për shkak të pandemisë dhe kërkesave të mëdha”, tha Kelmendi, i cili më herët ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, ai shton se para çdo vendimi për masa reciprociteti duhet të analizohen edhe pasojat që mund të sjellë një vendim i tillë.
“Nëse ne marrim masa dhe e dëmtojmë vetveten në emër te popullzimit politik, ajo mund të jetë e dëmshme e pastaj duhet miqtë ndërkombëtarë të intervenojnë”, tha Kelmendi.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011 janë arritur një sërë marrëveshjesh, duke filluar nga lëvizja e lirë e njerëzve e mallrave deri te njohja e targave të automjeteve.
Kompanitë e Kosovës jo rrallë herë kanë pasur vështirësi që të transportojnë mallrat e tyre në Serbi, për shkak se autoritetet ose nuk ua kanë njohur targat e makinave, por edhe kanë pasur probleme me njohjen e dokumentacionit të mallrave, ku figuron termi “Republika e Kosovës” si dhe vulat e lëshuara nga Kosova.
Qeverisë Kurti 2 i është bërë thirrje nga Bashkimi Evropian që procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë pa vonesa dhe pa pengesa.
(Arton Konushevci, REL)