Kosova paralajmëron “reciprocitet” ndaj Serbisë në qarkullimin e automjeteve

Prishtinë, 10 shtator 2021 – Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se së shpejti Kosova do të aplikojë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë në qarkullimin e automjeteve.

Bislimi, udhëheqës i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, e ka bërë këtë paralajmërim në Bruksel, pas takimit me delegacionin e Serbisë.

Ai ka thënë se pala serbe ka kërkuar të diskutohet për këtë temë, por pala kosovare e ka refuzuar diskutimin, duke e cilësuar si temë “artificiale”.

Bislimi nuk ka shpjeguar më shumë se çka nënkupton “reciprociteti” në qarkullit të automjeteve.

Sipas Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë, të nënshkruar në Bruksel, në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut teknik midis Kosovës e Serbisë, të gjitha veturat me pronarë që banojnë në Kosovë, duhet të regjistroheshin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të nxirreshin nga përdorimi targat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për serbët e Kosovës.

Por, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të qarkullojnë automjete me targa me akronimet “KM” (Mitrovica e Kosovës), “PR” (Prishtinë), “UR” (Ferizaj), “PZ” (Prizren), “GL” (Gjilan), të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë se në katër komunat verirore, deri më tash, nuk kanë marrë ndonjë urdhër për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me këto targa.

“Kurrfarë ndryshimi nuk ka për atë çështje. Ne s’kemi kurrëfarë vendimi dhe kurrfarë ndryshimi. Siç ka qenë vazhdon të jetë dhe nuk ka ndyshim”, ka thënë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Me marrëveshjen e plotësuar në vitin 2016 parashihej që, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të mbuloheshin me etiketa apo me letër ngjitëse pjesët e targave me simbolet dhe akronimet e Kosovës dhe të Serbisë.

Kosova, deri më tash, nuk ka vënë letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të Sebisë në targat e automjeteve të këtij vendi që qarkullojnë në Kosovë.

Ndërkaq, qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë, nuk mund të futen në Serbi me automjete që kanë targa me akronimin “RKS”. Në vendkalimet kufitare, ata duhet t’i heqin targat “RKS” dhe të pajisen me targa të përkohshme, “Proba”, të lëshuara nga autoritetet serbe, për të cilat edhe duhet të paguajnë.

Qeveria e Kosovës e ka akuzuar vazhdimisht Serbinë se nuk pa i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti ia ka dorëzuar emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslavv Lajçak, listën e marrëveshjeve që janë zbatuar pjesërisht ose nukjanë  zbatuar fare.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura midis Kosovës e Serbisë, por deri më tash nuk ka reaguar lidhur me paralajmërimet e zëvendës-kryeministrit Bislimi për aplikimin e masës së reciptocitetet në qarkullimin e  lirë.

(r.m.)