Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të dielën se në 24 orët e fundit janë regjistruar dhjetë viktima dhe 914 raste të reja me koronavirus.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 5 raste (86, 85, 84, 62 59 vjeç), Gjakovë 1 rast (84 vjeç), Podujevë 1 rast (72 vjeç), Prizren 1 rast (83 vjeç), Suharekë 1 rast (84 vjeç), Vushtrri 1 rast (83 vjeç)”, njofton Instituti.
Numri i rasteve të reja del pas testimit të 4.733 mostrave. Kjo njëherësh paraqet shifrën më të lartë të infektimeve ditore që Kosova ka regjistruar gjatë vitit 2021.
Gjatë 24 orëve, janë shëruar edhe 602 pacientë, duke e çuar në 72.415 numrin e përgjithshëm të të shëruarave.
Kosova regjistroi rastet e para me koronavirus më 13 mars, 2021. Që atëherë, vendi ka regjistruar 87.981 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet. Ndërkaq, raste aktive janë 13.726.
Më herët gjatë së dielës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar njoftoi se 880 pacientë po trajtohen në klinikat dhe spitalet rajonale. Prej tyre, 729 janë pacientë të konfirmuar me COVID-19 dhe 33 prej tyre janë në gjendje të rënduar shëndetësore. (Radio Europa e Lirë)