Prishtinë, 17 shkurt 2022 – Të enjten, më 17 shkurt, Kosova shënon 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Manifestimet solemne e festive kanë nisur me ngritjen solemne të flamurit shtetëror në hapësirën midis Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Presidentja Osmani ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës, duke shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë punuar e luftuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ajo ka veçuar dy figurat më emblematike të luftës për liri e varësi – Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe komandantin legjendar të luftës, Adem Jashari.
“Natyrisht që edhe këtë ditë, sikur çdo ditë të punës e përpjekjeve tona, dua ta shfrytëzoj për t’i falënderuar dhe t’i nderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që sot ne ta gëzojmë shtetin që e kemi, duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti Rugova i cili diti ta qartësojë vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijojë miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë, duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmorë të cilët e flijuan jetën e tyre në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari”, ka thënë
Presidentja Osmani ka theksuar se sakrifica për shtetin e Kosovës ndër breza ka qenë jashtëzakonisht e madhe.
“Natyrisht që sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe, mbi 13 mijë civilë, prej të cilëve 1.133 e më shumë fëmijë, rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara, shumë monumente kulturore e mbi 1600 të zhdukur janë plagë akoma të hapura të Republikës sonë. Liria jonë do të jetë e plotë vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat, atë ditë kur edhe qytetari ynë i fundit do të kthehet në Republikën tonë, në shtetin e vet, tek familja e vet”, është shprehur Presidentja Osmani.
E ka theksuar se projekti nacional për lirinë e pavarësinë e Kosovës ka përfunduar më 17 shkurt 2008 dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës, për të cilin është sakrifikuar aq shumë, do të jetë e përgjithmonshme.
“Shteti ynë, Kosova, është punë e përfunduar më 17 shkurt 2008, kur është përcaktuar një herë e përgjithmonë fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran”, ka theksuar ajo.
Por, Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu se Kosova përballet ende me sfida dhe ka bërë thirrje për unitet të qytetarëve dhe të spektrit politik të Kosovës.
“Në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar, sepse historia jonë ka dëshmuar se vetëm atëherë kur jemi të bashkuar rreth qëllimit për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm, shtet që u del zot qytetarëve të vet, shtet me të cilin mburren të gjithë – të rinj e të vjetër, burra e gra – ne mund të kemi sukses. Unë jam e bindur që deri tani i kemi bërë krenarë edhe miqtë tanë, të cilët na kanë ndihmuar gjatë periudhës së lirisë e pavarësisë por edhe në procesin e shtetndërtimit, dhe janë pranë nesh edhe sot e kësaj dite, prandaj dua ta shfrytëzoj këtë rast t’i falënderoj që kurrë nuk na lanë vetëm ,sepse, siç e ka thënë presidenti ynë historik,’ shtëpia nuk mbahet pa miq’ e Republika e Kosovës është dëshmia më e madhe për këtë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se dita e pavarësisë është dita më e rëndësishme për qhytetarët e Republikës së Kosovës.
“Kjo ditë mishëron dhe sublimon të gjitha përpjekjet dhe gjithë sakrificën e gjeneratave për lirinë tonë politike. Fakti që këtë ditë po e fillojmë me ngritjen e flamurit të shtetit tonë është një simbolikë që tregon se shteti ynë do të qëndrojë lartë dhe i paepur përgjithmonë”, ka thënë Konjufca.
“Përgjatë gjithë ditës do ta shënojmë këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë me aktivitete të shumta, ashtu siç e meriton kjo ditë e rëndësishme. Unë e shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës t’ua uroj Ditën e Pavarësisë”, ka thënë Konjufca.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka nderuar më së pari të gjithë qytetarët që kanë punuar e luftuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Teksa kremtojmë e festojmë, gëzohemi dhe urojmë njëri-tjetrin, nuk kemi se si të mos I kujtojmë e përkujtojmë të gjithë ata të cilët kanë punuar dhe luftuar për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore, do t’i nderojnë figurat më emblematike të punës dhe luftës përlirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Nga kryeqyteti i Republikës, nga oborri i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë, ku bëmë nderime dhe e ngritëm flamurin shtetëror, do të vazhdojmë për në kryeqendrën e kryengritjes të popullit tonë, në Prekaz, tek Kompleksi Adem Jashari, dhe më pastaj tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi. Të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë, andaj ne u jemi falënderuese të gjithëve dhe mirënjohës përjetë”, ka thënë Kurti.
(r.m.)