Prishtinë, 5 mars 2023 – Të dielën në Kosovë nisi manifestimi treditor tradicional “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” që organizohet në nderim të rezistencës së familjes Jashari, në Prekaz.
Krerët shtetërorë të Kosovës, gjatë homazheve në kompleksin memorial në Prekaz dhe në hapjen solemne të “Epopesë…”, në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, e vlerësuan sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve për lirinë e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndër të tjera, tha se liria e Kosovës mban vulën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari e të gjithë familjes Jashari, si edhe të mbi 3 mijë dëshmorëve të rënë për liri.
“Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një histori lufte e beteje, por një histori e qëndrueshmërisë, këmbënguljes e shpresës. Është histori e sakrificës, por edhe triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Këta burra e gra iu përgjigjën kushtrimit për liri, ndaj me trimëri e guxim e vetëmohim të palëkundur luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë Kosovën, e për ta siguruar një të ardhme më të mirë për gjithë ne. Ata nuk ishin thjeshtë ushtarë, ishin e mbesin heronj. Kjo liri e ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3000 dëshmorëve të UÇK-së e mijëra luftëtarë që i kemi edhe sot mes nesh. Ata janë mishërim i trimërisë e nderit”, tha Presidentja Osmani.
Ajo theksoi se sakrifica e familjes Jashari dhe trimave të tjerë të rënë në mbrojtje të atdheut janë frymëzim i popullit të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit të shtetit të Kosovës.
“Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendarë, Prekazin historik, e të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar para në rrugëtimi ne pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë, ruajtjen e mbrojtjen e integritetit territorial e sovranitetit të vendit të pavarur”, tha Presidentja Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezistenca e familjes Jashari e nxiti edhe më shumë mobilizimin e njerëzve në UÇK, e fitoi mbështetjen e NATO-s, sidomos të SHBA-së, me përkrahjen e së cilës u çlirua Kosova, më 1999.
“Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun. Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua për tri ditë rresht nën një rrethim të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë që me makineri ushtarake me përmasa frontale qëlluan me predha dhe bombarduan mbi shtëpitë Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz. Serbia fashiste e Millosheviqit kishte menduar atëkohë gabimisht që duke e vrarë Ademin dhe Hamzën mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës, por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e NATO-s e veçanërisht të SHBA-së, që u përfshinë më pas në luftë për t’i dhënë bashkë goditjen përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në vitin 1999”, tha Kurti.
Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, tha se ai është krenar me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët ishin rreshtuar për të nderuar familjen Jashari dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës. Ai bëri thirrje për bashkimin e të gjitha forcave për forcimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës.
“Për hir të luftës, gjakut të bijve e bijave tona, të gjejmë gjuhë të përbashkët e t’i arrijmë qëllimet tona, si të gjitha shtetet demokratike në botë. Lavdi dëshmorëve dhe gjithë të rënëve”, tha Rifat Jashari.
Të hënën paradite Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne kushtuar Epopesë së UÇK-së, kurse pasdite do të mbahet një Akademi Përkujtimore.
Të martën, te kompleksi memorial në Prekaz do të mbahet manifestimi tradicional “Nata e zjarreve”, kurse në sheshin e qytetit në Skenderaj do të shfaqet një program artistik.
(r.m.)