Prishtinë, 12 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, shpallën sot ankandin e parë për parkun e energjisë solare me kapacitet prej 100 MW.
Në fillim të fjalës së tij, Kurti shprehu konsideratat më të larta për mbështetjen e zonjës Power për Kosovën, sa ishte ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe tani, si administrator e USAID-it.
“Do të dëshiroja t’i uroja edhe një herë mirëseardhje administratores Power, që përveç se e kryeson Agjencinë me portofolin më të madh të ndihmës në botë, administratorja Power i ka kushtuar shumë kohë të avokuarit për të drejtat e njeriut brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Karriera e saj është formësuar nga shkeljet e të drejtave të njeriut edhe në rajonin tonë, andaj jemi me shumë fat që znj. Power është mysafire në Kosovë, që nënkupton edhe lidhjen që ka ajo me historinë e vendit tonë”, theksoi ai.
Më pas, Kurti falënderoi USAID-in për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e sektorit të energjisë dhe për përkrahjen e fuqishme të procesit të tranzicionit energjetik.
“Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate të cilave u leverdis varësia energjetike e Evropës. Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më urgjent tranzicionin energjetik”, u shpreh Kurti.
“Këtë rrugëtim po e bëjmë dhe do ta bëjmë bashkë me mikun, partnerin e besueshëm dhe aleatin e fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat tashmë janë dëshmuar edhe në mbëshetjen e zhvillimit tonë të gjithmbarshëm edhe në zhvillimin e demokracisë sonë”, shtoi ai.
Kurti tha se Kosova synon që përmes ankandeve për energji të ripërtëritshme të sigurojë qëndrueshmëri në furrizim me energji, çmim sa më të lirë dhe ambient më të pastër.
Ministrja Rizvanolli tha se ankandi për parkun e energjisë solare shënon pikën e fillimit të një epoke të re për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë.
“Burimet e ripërtrishme të energjisë janë të domosdoshme sot, për të garantuar energji të mjaftueshme, me çmime të përballueshme, e pa dëmtuar shëndetin e planetin për ne, e për brezat që vijnë pas”, tha ajo.
“Jemi siguruar të ofrojmë një sërë përparësish kruciale përfshirë identifikimin dhe sigurimin e tokës së përshtatshme, çmimin e garantuar të blerjes dhe procedura të thjeshta administrative. Përtej kritereve teknike e mundësive të investimit, kemi plotësuar të gjitha kushtet që kompanitë të cilat duan të investojnë në Kosovë të kenë një partner serioz, të drejtë e transparent”, tha ministrja Rizvanolli.
‘’Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të qëndrueshëm të Qeverisë së Kosovës me njërin nga partnerët tanë kyç zhvillimor, USAID-in, kontributi i të cilit është me të vërtet i pazëvendësueshëm për sektorin tonë të energjisë”, theksoi ajo.
Administratorja e USAID-it, Samantha Power, tha se hapja e ankandit është një sinjal i fuqishëm i drejtimit që po merr ekonomia e Kosovës.
“Fatmirësisht kemi parë një përkushtim shumë të fuqishëm e të rëndësishëm të udhëheqsve të Kosovës për të nisur një transformim të sektorit të energjisë. Shpresoj që Kosova do të shërbejë si model edhe për vendet e tjera që të punojnë në drejtime të ngjashme. Kosova ka filluar këtë rrugëtim duke vendosur synime të qarta, ambicioze por të arritshme në strategjinë e saj për energjinë në zhvillimin e së cilës USAID kishe kënaqësinë të ndihmojë”, tha ajo.
Kosova aktualisht përmbush pjesën më tëdhe të nevojave të saj me energji elektrike nga dy termocentrale të vjetra që punojnë me qymyr, të dëmshme për mjedisin.
(r.m.)