Kosova shpall “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste

Prishtinë, 29 qershor 2023 – Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ato përbëjnë “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”.

“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të enjten, gjatë arsyetimit të vendimit.

Ai tha se këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ndaj pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX dhe ndaj ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kurti tha se këto dy formacione kanë bërë thirrje për rezistencë dhe për mosbindje, i kanë detyruar qytetarët të marrin pjesë në protesta e në barrikada dhe kanë rekrutuar pjesëtarë të tyre dhe i kanë trajnuar ata në baza ushtarake në Serbi, “me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

Kurti tha se këto dy organizat kanë frikësuar dhe kërcënuar kandidatë dhe subjekte politike serbe që kanë kandiduar në zgjedhjet lokale në katër komuant veriore, duke i detyruar të tëhiqen nga procesi zgjedhor.

“Niveli i kërcënimit dhe rrezikut nga këto formacione ilegale është i lartë. Institucionet e Kosovës janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve të këtyre formacioneve, me qëllim të parandalimit të pasojave si për qytetarët, ashtu edhe për pjesëtarët e institucioneve të vendit tonë dhe të prezencës ndërkombëtare në Kosovë”, theksoi Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, sqaroi se vendimi nuk i prek anëtarët e këtyre organizatave që nuk kanë kryer vepra penale.

“Ky vendim nuk prek askënd që deri në momentin e shpalljes organizata terroriste, ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale”.

Vendimi që “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen “organizata terroriste” u miratua me shumicë votash të kabinetit të qeverisë. Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, u deklaruar kundër këtij vendimi. Ai e cilësoi atë si “vendim të hershëm” dhe tërhoqi vërejtjen se kjo mund të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Kosovës me qytetarët serbë në pjesën veriore.

Rashiq tha se në mesin e qytetarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës “po bëhet gjithnjë e më vështirë të gjenden bashkëbisedues” dhe theksoi se tani është edhe më vështirë që serbët në veri të binden se ajo që po bën Qeveria e Kosovës është në interesin e tyre.

“Ne duhet të jemi shumë më të kujdesshëm [me hapat] drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës”, tha Rashiq.

Organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” kanë në përbërjen e tyre  qindra pjesëtarë të komunitetit serb.

Sipas ligjit në Kosovë, aktiviteti i organizatave që shpallen terroriste ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre ka pasoja të rënda ligjore.

(r.m.)