Prishtinë, 5 qershor 2021 – Kosova shpreson që të përfaqësohet nga 12 sportistë në Lojërat Olimpike Verore që zhvillohen në Tokio të Japonisë nga 23 korriku deri më 8 gusht.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e dhjetë sportistëve nga Kosova: pesë xhudistë, një mundës, dy notarë, një atlet dhe një shigjetar.
“Kosova do të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Tokio 2020 me dhjetë garues. Mirëpo, këta dhjetë garues nuk janë definitive, sepse presim që ky numër të rritet. Deri më tani, gjashtë prej tyre i kanë normat e fituara, kurse katër të tjerë marrin pjesë më ftesë të komisionit trepalësh. Jemi ende në pritje të ftesave nga Federata e Karatesë dhe nga Federata e Boksit, të cilat tashmë i kanë filluar garat. Boksierët do të marrin pjesë së shpejti në Paris të Francës, kurse karateistët do të marrin pjesë në garat kualifikuese në Francë. Nëse ndonjëri nga garuesit tanë në këto dy sporte, në të cilët kemi shpresa shumë të mëdha, e fiton normën në Paris, më saktë nëse zë një vend prej të parit deri në të tretin, atëherë kualifikohet direkt për në Tokio 2020”, tha Krasniqi.
Ai tha se më së shumti presin medalje nga xhudistët.
“Presim shumë nga xhudoja, mirëpo presim edhe nga federatat e tjera, sidomos nga boksi dhe nga karateja, nëse i fitojnë normat olimpike, gjë që është shumë e mundshme”, tha ai.
Lojërat Olimpike Verore në Tokio, ishte paraparë të mbaheshin në verën e vitit 2020, por ato u shtynë për sivjet, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Për ekipin olimpik të Kosovës këto do të jenë lojërat e dyta olimpike. Kosova ka marrë pjesë për herë gtë parë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në Brazil.
Në këtë olipmoiadë Kosova kamarrë pjesë me tetë sportistë. Xhudistja Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e parë të artë për Kosovën.
(r.m.)