Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

Tiranë, 18 mars 2025 – Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan të martën në Tiranë një memorandum për bashkëpunimin e tri vendeve në fushën e Mbrojtjes. Ky memorandum përfshin: Promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes; Rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; Kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike dhe Ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

Nënshkrimi i memorandumit u bë në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve, Pirro Vengu, Ejup Maqedonci dhe Ivan Anushiq. 

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në konferencën e përbashkët për medie, tha se bashkëpunimi i tri vendeve nuk përbën kërcënim për askënd, por është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata qe synojnë të kërcënojnë rajonin, Ne u tregojmë qe jemi së bashku dhe nuk do te lejojmë që askush ta destabilizojë rajonin. I falënderoj ministrin e Shqipërisë dhe ministrin e Kroacisë që ndërmorën nismën për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është e para marrëveshje trilaterale ne rajon. Edhe njëherë, kjo marrëveshje është mesazh për çdo vend i cili ka qëllim destabilizimin”, tha Maqedonci.

“Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera, veçanërisht në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, shkëmbimin e informacionit dhe trajnimin e personelit, si edhe mbështetjen e parezervë të dy vendeve (Kroacisë dhe Shqipërisë) për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, tha shtoi ai.

Maqedonci tha se ky memorandum mund t’i bashkangjiten edhe vende të tjera të rajonit që kanë objektiv ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Ky angazhim i përbashkët hap rrugë që edhe vendet tjera t’i bashkëngjiten përpjekjes sonë të përbashkët për paqe e stabilitet dhe më shumë siguri”, theksoi ai.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se qëllim i këtij memorandumi është forcimi i stabilitetit rajonal dhe përmirësimi i ndërveprimit të forcave të armatosura të tri vendeve, duke përfshirë organizimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe shkëmbimin e përvojave ushtarake midis tyre.

“Tri shtetet do të jenë të përgatitura që të përballen me sfidat e ardhshme të sigurisë në Evropën Juglindore”, tha ai.

Anushiq bëri të ditur se aleanca është e hapur për zgjerim. Ai tha se pritet që asaj t’i bashkohen edhe vende të tjera të rajonit,  ndërsa e përmendi specifikisht përfshirjen e Bullgarisë.

“Ekziston mundësia që kjo aleancë ushtarake trilaterale të zgjerohet në të ardhmen me Bullgarinë”, tha Anushiq.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha se ky document strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve që, sipas tij, “i lidhin historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt”.

“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë”, theksoi ministri Vengu.

(r.m.)

Comment

*