Prishtinë, 9 korrik 2021 – Kosova ka nënshkruar kontratën me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje të armatimit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime zyrtare brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, gjithashtu ka njoftuar se eksporti i parë i makinave turke të blinduara të tipit Vuran, të prodhuara në bashkëpunim me firmat e mbrojtjes në Turqi, do të arrijnë në Kosovë.
“Vuran” pritet të arrijnë në fillim të vitit të ardhshëm
Sipas burimeve brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë folur për Radion Evropa e Lirë, FSK-ja ka kontraktuar blerjen e katër automjeteve të tipit Vuran me tërheqje 4×4, ndërkaq që dhjetë të tjerat janë të së njëjtës kompani, por të tipit KIRPI, të pajisura me armatime.
“Të gjitha këto automjete të blinduara janë pajisje shumëfunksionale. Një pjesë e tyre pritet të arrijnë në Kosovë në fillim të vitit të ardhshëm”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë burimi nga FSK-ja.
Sipas informacioneve që ka siguruar agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, Kosova do të jetë shteti i parë i huaj që do të përdorë këto automjete të blinduara me tërheqje të tipit 4×4.
Në njoftimin e agjencisë Anadolu, thuhet se në fazën e parë, dy njësi të automjeteve të blinduara do të prodhohen dhe do të dërgohen në Kosovë.
Automjetet Vuran prodhohen nga kompania komerciale turke për makina ushtarake, BMC Otomotiv në bashkëpunim me firmën më të madhe për pajisjet e mbrojtjes, Aselsan.
Këto automjete përdoren tash e një kohë nga forcat e sigurisë së Turqisë dhe ato kanë lëvizshmëri dhe qëndrueshmëri të lartë, si dhe mund të operojnë në kushte të rënda klimatike dhe terrene të vështira.
Investimet në FSK, më të voglat në rajon
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.
Programi i transformimit parasheh tri faza. Faza e parë do të përfshijë tre vjet, e dyta katër vjet dhe e fundit sërish tre vjet.
Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë. Por, aktualisht Kosova po shkon drejt përfundimit të fazës së parë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në përputhje me fazat e transformimit të FSK-së janë duke u zhvilluar edhe trajnimet dhe edukimi i kuadrove brenda kësaj force, por edhe ngritja e kapaciteteve teknike të saj.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka arritur që për vitet 2020, 2021 dhe 2022 të planifikojë ngritjen e buxhetit për FSK-në, i cili i plotëson nevojat e saj dhe krijon mundësi investimi në këtë forcë. Në vitin 2020, buxheti i ndarë për FSK-në ishte rreth 63 milionë euro. Në vitin 2021, buxheti i FSK-së është 67 milionë euro.
Por, Ibishi, vlerëson se krahasuar me vendet fqinje, Kosova ndan më pak buxhet për ushtrinë.
“Do të thotë, investimet në forcat e armatosura janë diku rreth 1 për qind e Bruto Produktit Vendor apo GDP-së, që janë deri diku mirë, por jo edhe mjaftueshëm në krahasim me disa vende të rajonit, të cilat e kanë kaluar edh 2 për qind të Bruto Produktit Vendor. Pra, ka të bëjë me disa vende të rajonit, të cilat kanë bërë një debalancë në krahasim me vet kapacitetet e veta, qoftë në aspektin e territorit, popullatës, por edhe rreziqet e kërcënimeve çfarë janë realisht në rajon, sidomos po flas për Republikën e Serbisë”, tha Ibishi.
Autoblindat blihen me paratë e donacionit të Turqisë
Burimi i Radios Evropa e Lirë brenda FSK-së, ka thënë se FSK-ja merr nga Turqia rreth 100 milionë lira turke (9.7 milionë euro) në vit si donacion, e të cilat i shfrytëzon për të kontraktuar blerjen e pajisjeve ushtarake po ashtu nga Turqia. Kontratat bëhen në dollarë dhe shuma e tyre lëvizë varësisht nga kursi i këmbimit të lirave turke në dollarë, për shkak se kontratat e blerjes së pajisjeve ushtarake bëhen me dollarë amerikanë.
Sigurimi i pajisjeve ushtarake të FSK-së nga shteti i Turqisë, bëhen në bazë të kërkesës së FSK-së për llojin e pajisjeve, ndërkaq që të gjitha procedurat tjera i kryen shteti turk.
Në këtë mënyrë janë siguruar edhe 14 automjetet e blinduara të tipit Vuran dhe KIRPI.
Më herët Turqia i ka dhuruar FSK-së si donacion automjete të blinduara të tipit Cobra. Ndërkohë që gjatë tre vjetëve, FSK-ja ka siguruar pajisje individuale, në vlerën e donacioneve vjetore që i jep shteti turk.
Në muajin gusht arrijnë 50 autoblinda amerikane Humvee
Përveç Turqisë, Forca e Sigurisë, deri më tash ka siguruar pajisje ushtarake të llojllojshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga vende të tjera, të cilat janë pjesë e aleancës së NATO-s.
Burimi i Radios Evropa e Lirë nga FSK-ja ka konfirmuar se në fillim të muajit gusht Forcat e Sigurisë së Kosovës do të marrin edhe 50 automjete të tjera të blinduara të tipit Humvee, si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë posedon me 68 të tilla, ku 27 kanë qenë donacion, kurse pjesa tjetër është blerë nga buxheti i Kosovës.
Arritja e mundshme e objektivave para afatit
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se aktualisht në Kosovë janë të pranishme forcat e KFOR-it, të cilat kanë mandatin të kujdesen për aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes në gjithë territorin e saj.
Gjatë kësaj kohe, siç thotë Ibishi, FSK-ja në tri fazat e saj të transformimit mund të zhvillojë kapacitetet e plota operacionale dhe ka mundësinë shtesë që t’i arrijë objektivat e parashikuara, madje edhe para kohës së përcaktuar prej dhjetë vjetësh për transformim.
Qeveria e Kosovës është zotuar që në vitin 2022 do të ndajë mbi 100 milionë euro për FSK-në.
Ibishi thotë se rritja e buxhetit gjatë viti 2021 për FSK-në, si dhe rritja eventuale edhe në vitin e ardhshëm, do të jetë shumë e mirëseardhur për këtë forcë.
“Pra (këtë vit) arrin diku mbi 80 milionë euro, prej diku më pak se 60 milionë apo saktësisht 57 milionë. Kjo tregon që është një interesim i Qeverisë së re të Kosovës që FSK-në, por edhe sektorin e sigurisë, ta mbështesë në aspektet e zhvillimeve të brendshme transformuese, por edhe në aspektet tjera integruese. Natyrisht edhe pajisjen e saj, edukimi dhe shkollimi në akademitë prestigjioze në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i jep një mundësi shtesë FSK-së, që në afatin optimal ajo t’i zhvillojë kapacitetet e plota operacionale”, theksoi Ibishi.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.
Pas luftës së armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
(Bekim Bislimi, REL)