Kosova s’mund t’i përdorë dronët pa autorizimin e KFOR-it

Prishtinë, 17 korrik 2023 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi të hënën se komandanti i KFOR-it “e ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovën”.

KFOR-i e bëri këtë një ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, njoftoi për blerjen e dronëve “Bayraktar TB-2” nga Turqia.

“Sa i përket përdorimit të të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimeve përkatëse, përfshirë dronët Bayraktar TB-2, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, komandanti KFOR-it ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovën”, thuhet në komunikatën e forcave paqeruajtëse.

Në komunikatë shpjegohet se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për fluturime komerciale, ndërsa hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja të caktuara me autorizim të mëparshëm të komandantit të KFOR-it.

“Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë bashkërendim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i thekson se vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të saj fillestar, përfshirë operacionet e mbrojtjes civile, siç janë: shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe trajtimi i materieve të rrezikshme.

KFOR-i thekson se është plotësisht i përqendruar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Të dielën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi se Kosova është pajisur me dronë “Bayraktar TB-2” të blerë nga Turqia.

Kurti tha se, tashti që është pajisur me dronë, Kosova është “edhe më e sigurt” dhe bëri të ditur se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë janë trajnuar për përdorimin e dronëve.

Kurti nuk ka treguar se sa dronë janë blerë deri më tash nga Turqia.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri. Është e paraparë që deri në vitin 2028, ajo t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç thuhet, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.

(r.m.)