Prishtinë, 24 shkurt 2023 – Rrugët e Prishtinës u mbuluan të premten me flamuj të Ukrainës e mesazhe solidariteti për popullin ukrainas në ditën kur ai vend shënon një vjetorin e agresionit rus.
Pëllumba të bardhë u lëshuan në qiell si mesazh i paqes, në një veprimtari të organizuar nga komuna e Prishtinës, pas mbledhjes së Kuvendit komunal kushtuar një vjetorit të agresionit rus në Ukrainë, e cila nisi me një minutë heshtje.
Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, Kosova është rreshtuar përkrah aleatëve perëndimorë. Tanimë Kosova ka strehuar edhe 12 gazetarë ukrainas, të cilët u pritën të premten nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se lufta e popullit të Ukrainës është të gjithë atyre që mbrojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë.
“Prandaj fitorja e tyre është fitore e gjithsecilit që beson në këto vlera. Është posaçërisht fitore edhe e popujve që kanë sakrifikuar shumë për liri e demokraci siç është populli i Kosovës. Ne kemi hapur zemrat e dyert duke mbështetur gazetarët nga Ukraina sepse ua njohim dhimbjet, e njohim rëndësinë e rrëfimit dhe mbrojtjes së të vërtetës dhe sepse jemi me ta në këto orë të errëta të historisë së tyre”, tha presidentja Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kësisoj mund të ruhet paqja në kontinentin e Evropës.
“Do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri e si institucione, si dje, si sot, si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore”, tha kryeministri Kurti.
Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, tha se për të dhe kolegët e saj Prishtina është shndërruar në shtëpinë e dytë, duke u dhënë atyre mundësinë të vazhdojnë punën e tyre për t’i treguar botës të vërtetën për Ukrainën.
“Këtu ndihemi mirë dhe qetë, çdo ditë ndjejmë mbështetjen e politikanëve, kolegëve gazetarë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të thjeshtë që na ofrohen në rrugë dhe na pyesin se si i kemi familjet. Këtu nuk fluturojnë raketat dhe nuk bien bombat, por shpirti dhe mendimet tona janë gjithmonë me Ukrainën. Ju më kuptoni më së miri sepse vet e keni përjetuar luftën dhe ju si askush tjetër e dini çmimin e fitores”, tha ajo.
Kosova u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës sikurse pjesa tjetër e vendeve të rajonit, përveç Serbisë që është vendi i vetëm që ndonëse synon integrimet evropiane nuk u është bashkuar sanksioneve, në radhë të parë për shkak të qasjes së Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)