Kosova vendos regjim vizash për shtetasit rusë

Prishtinë, 30 shtator 2022 – Të gjithë shtetasit rusë që duan të hyjnë, të kalojnë transit apo të qëndrojnë në Kosovë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, duhet të pajisen me vizë.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të premten, më 30 shtator.

“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje, tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Deri më sot,  qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe mepasaporta zyrtare u lejohej hyrja, lëvizja transit dhe qëndrimi pa vizë në territorin e Republikës së Kosovës deri në 15 ditë. Pa vizë mund të hynin në Kosovë edhe shtetasit e vendeve për të cilat Kosova aplikon regjim vizash që kanë leje qëndrimi biometrike valide, të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Shengen.

Kjo ishte e rregulluar në vendimin e Qeverisë për kushtet e hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës, të marrë në vitin 2011.

“Ky vendim është në raport me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në koherencë me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për pezullim të marrëveshjes për lehtësim të vizave Shengen për shtetasit rusë dhe vazhdimin e masave kufizuese dhe ndëshkuese kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës”, tha zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi.

Më 31 gusht, Bashkimi Evropian e pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë, duke ecilësuar si “hap i parë i domosdoshëm”. Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë të sigurojnë vizë dhe procesi i pajisjes me vizë do t’u kushtojë më shtrenjtë.

Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalim të plotë të lëshimit të vizave turistike për rusët, për shkak se vendet anëtare të bllokut nuk janë të një mendimi për këtë çështje.

Ukraina i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë shtetasit rusë, përveç për disidentët politikë.

(REL)