Kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit

Bruksel, 21 prill 2023 – Qytetarët me pasaporta të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave, për shkak se ky shtet i Bashkimit Evropian nuk i njeh këto pasaporta.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

Ajo nuk e ka përmendur në mënyrë specifike Spanjën, por ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë vetëm për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”, ka thënë ajo.

Spanja, e cila prej 1 korrikut e merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme se katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave  për Kosovën ajo nuk ka kundërshtuar.

Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës (Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia) i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

(REL)