Prishtinë, 13 qershor 2022 – Për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, naftëtarët, partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë po kërkojnë që Qeveria e Kosovës të bëjë lehtësime në mënyrë që çmimet të bien.
Në Kosovë të hënën, më 13 qershor, një litër naftë ka kushtuar 1.88 euro, 2 centë më shumë se ditën paraprake. Këto çmime, sipas përfaqësuesve të kompanisë së naftës në Kosovë, janë në nivelin më të lartë që është shënuar në vitet e fundit.
Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe naftëtarët kanë kërkuar që për naftën të ulet akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të mundësohet ulja e çmimeve.
Por, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha të hënën përmes një postimi në Facebook, se thirrja për uljen e akcizës për naftë po bëhet për “t’i trashur fitimet e tregtarëve”, duke argumentuar se heqja e akcizës nuk do të nënkuptonte edhe uljen e çmimeve.
“Që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të Qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës”, shkroi Murati.
Murati tha se rritja e çmimit të naftës po ndodh për shkak të rritjes së çmimit të importit.
“Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit te konsumatori”, theksoi ai.
Murati rëpërsëriti planin e ekzekutivit, i cili po punon për të caktuar një marzhë maksimale për çmimet e karburanteve.
“… është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”, tha ai.
Përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të linjës së ekonomisë, naftëtarët më 9 qershor kërkuan që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale për litër”, u tha në shkresë.
Sipas naftëtarëve, nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse, siç thanë, kanë bërë vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Debat në Kuvend për çmimet e karburanteve
Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në Kuvend të diskutohet për çështjen e çmimeve të karburanteve.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se partia e tij ka kërkuar reduktimin e akcizës së derivateve dhe TVSH-së për produktet esenciale.
“Ne si grup parlamentar kemi propozuar edhe rezolutë. Kërkuam që ky debat të mbahet në ditën e enjte, por partia në pushtet [Lëvizja Vetëvendosje] insistoi se agjenda është shumë e ngarkuar dhe të mbetet për të enjten e ardhshme”, tha Gashi.
Kritikë ndaj reagimit të Qeverisë lidhur me çmimet e naftës u shpreh Ferat Shala, deputeti opozitar, që është kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Ai tha se me veprimet e tij, ekzekutivi po godet bizneset, për të rritur të hyrat buxhetore.
Shala, që është deputet i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokatike të Kosovës, tha se Qeveria duhet që urgjentisht të bëjë një plan strategjik për të dalë nga kjo situatë.
“Akciza është dashur të ulet në këto rrethana dhe të ruhet relacioni i mirëqenë ekonomik i ndërmarrjeve furnizuese, të cilat sot janë të ekspozuara për shkak të lëvizjeve në tregje dhe janë jashtëzakonisht në situatë të vështirë. Qeveria nuk mund ta kërkojë atë te kompanitë furnizuese, por duhet ta kërkojë te politikat e saj fiskale. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap të dështuar apo të nevojshëm”, tha Ferati për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të kompanive të karburanteve dhe institucioneve shtetërore të rajonit, Shqipëria aktualisht ka çmimit më të lartë të karburanteve, me 2.15 euro për litër dizel dhe 2.02 për benzinë. Kosova renditet e dyta, pasuar nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shtet ku një litër dizel shihtet për 1.58 euro dhe 1.93 për benzinë.
Serbia, për shembull, të premten e ka caktuar çmimin maksimal prej 1.78 euro për një litër dizel dhe 1.69 euro për një litër benzinë. Ky çmim do të jetë në fuqi deri më 30 qershor.
Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, kërkoi që Qeveria të heqë akcizën për një periudhë të caktuar.
“Shteti dhe buxheti nuk do të humbë asgjë sepse është rritur baza importuese. TVSH-ja dhe Dogana tashmë kanë arritur efektin dhe me 25 deri në 28 centë të mbushë buxhetin e paplanifikuar nga doganat për shkak të rritjes së çmimit. Këta shembuj të mirë duhet t’i ndjekë Qeveria, duke marrë modalitetin e disa shteteve, siç janë Sllovenia, Mali i Zi, Hungaria dhe Maqedonia e Veriut, tha ai për REL-in.
Sipas Shahinit, për shkak të një hulumtimi për këtë çështje, Qeveria po heziton që të ndërmarrë veprime për këtë çështje.
“Frikësohet se e rrezikon mbushjen e arkës së shtetit, por prapë them se kjo nuk e rrezikon buxhetin, përkundrazi rrit qarkullimin, furnizimin dhe blerjen nga shtete e tjera”, tha Shahini.
Me qëllim të rregullimit të çmimeve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi më 8 qershor se Qeveria po mëton që të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.
Qytetarët në Kosovë po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë, teksa sipas të dhënave zyrtare, inflacioni ka qenë 11.2 për qind në muajin prill.
(Arton Konushevci, REL)