Kosovë: Dy viktima dhe afër 1.800 raste të reja me COVID-19

Prishtinë, 20 korrik 2022 – Dy persona kanë vdekur dhe 1.793 të tjerë kanë dalë pozitivë me koronavirus, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Sipas raportit ditor, rastet pozitive dolën pas testimit të 4.513 mostrave apo 39.72 për qind e mostrave dolën pozitive për sëmundjen COVID-19. Numri i rasteve të reja paraqet një rritje krahasuar me një ditë më parë, kur u regjistruan 842 infektime me koronavirus.

Në 24 orët paraprake janë shëruar 174 qytetarë, ndërkaq raste aktive me koronavirus aktualisht janë 8.035.

Sa i përket vaksinimit, autoritetet shëndetësore kanë administruar 263 doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Në total, deri më tani në Kosovë, 903.764 persona janë të imunizuar me një dozë të vaksinës. Me dy doza janë imunizuar 824.036, ndërkaq me tri doza 104.132 qytetarë.

Së fundmi, Kosova ka nisur të japë edhe dozën e katërt të vaksinës për personat mbi 60 vjeç dhe sipas të dhënave, deri më tani me dozën e katërt janë imunizuar 852 qytetarë.

(REL)