Prishtinë, 9 tetor 2024 – Nën masa të rrepta sigurie, të mërkurën, në Prishtinë u hap procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për përfshirje në sulmin e një viti më parë në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Të pranishëm në gjykatë ishin vetëm tre nga të 45 të akuzuarit, me që të tjerët ndodhen në arrati.
Dy nga të akuzuarit nuk pranuan të deklarohen rreth fajësisë së tyre, ndërsa i treti tha se ndjehet i pafajshëm për akuzat e shkeljes së rendit kushtetues dhe ligjor, veprimtarive terroriste, financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.
Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me dënime të gjata deri në burgim të përjetshëm.
Gjykatësi Arben Hoti tha se sipas ligjit mosdeklarimi nënkupton se të akuzuarit nuk e pranojnë fajësinë.
Lubomir Pantoviq, avokati i njërit prej të akuzuarve, tha se ata kanë të drejtë të deklarohen rreth fajësisë në një periudhë të mëvonshme.
“Si keni dëgjuar edhe vet, dy të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të mos u deklaruar rreth fajësisë, një e drejtë që u garantohet atyre në bazë të ligjit. Nuk do ta komentoja më shumë dhe gjithsesi nuk do të theksoja ndonjë arsye për të cilën ata kanë vendosur të mos deklarohen sot”, tha ai.
Tre të akuzuarit që u arrestuan në shtator të vitit 2023 ishin pjesë e një grupi serbësh të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës me 24 shtator. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë gjatë përleshjeve.
Avokati Arianit Koci që përfaqëson familjen e oficerit të vrarë Afrim Bunjaku, tha se Serbisë duhet t’i bëhet trysni ndërkombëtare për dorëzimin e pjesës tjetër të të akuzuarve.
“Sa i përket këtyre 42 personave për ta më jetë nuk ka, ata të gjithë janë në kërkesën e kuqe apo ‘red notice’ të INTERPOL-it, kështu që ata jo që nuk mund të dalin nga Serbia por pres që kur t’i vijë koha Serbia t’i dorëzojë në Kosovë. Realisht ky duhet të jetë një prej kushteve bazike për Serbinë që të vazhdojë më tutje në organizata ndërkombëtare apo edhe në Bashkimin Evropian”, tha zoti Koci.
Nga sot të akuzuarit i kanë 30 ditë afat për të kundërshtuar provat apo për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës shpalli ngritjen e aktakuzës me 11 shtator dhe ndër të akuzuarit kryesor është Milan Radoiçiç, një ish politikan dhe afarist i pasuer me lidhje te fuqishme me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.
Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit ndërsa ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen në Kosovë për t’u gjykuar nga autoritetet vendase.
Beogradi ka mohuar të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.
Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u ndalua nga autoritetet serbe, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit. Por, një ditë pas ndalimit një gjykatë në Beograd e liroi atë nga paraburgimi duke ia caktuar masën e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe duke i ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Milan Radoiçiç është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të veprimtarive të tij kriminale financiare. Diplomatët evropainë dhe ameirkanë i kanë kërkuar Serbisë vënien para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjskë, i cili nxiti tensione të larta dhe shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.
(Zëri i Amerikës)