Prishtinë, 27 janar 2022 – Opozita në Kosovë ka akuzuar Qeverinë se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me pandeminë.
Gjatë një seance të jashtëzakonshme lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, opozita e ka kritikuar Qeverinë edhe për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit.
Seanca e Kuvendit po mbahet në një kohë kur numri i të infektuarve me COVID-19 ka shënuar rekord të rasteve të reja.
Më 26 janar, pas testimit të 16,307 mostrave, 4,397 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në Kosovë.
Aktualisht, në Kosovë janë mbi 25 mijë raste aktive me koronavirus.
Seanca është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, akuzoi Qeverinë e Kosovës për paaftësi në menaxhimin e situatës me COVID-19.
“Afër 30 mijë raste me COVID-19 vetëm gjatë këtij muaji. Ky është rezultati i menaxhimit online të pandemisë, është rezultat i qeverisjes së paaftë e cila nxjerr masa joadekuate. Qeveria po neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv dhe kujdesin në shkolla”, tha Zemaj.
Zemaj shtoi se e vetmja zgjidhje e kësaj Qeverie është izolimi, që po i dëmton bizneset e qytetarët.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se është shqetësim i madh që Qeveria e Kosovës nuk po shqetësohet për situatën e rënduar me COVID-19.
“Kjo Qeveri ka bërë dy gabime themelore në menaxhimin e pandemisë: ose ka hezituar për të lexuar situatën për të injoruar atë, ose e ka lexuar situatën gabimisht. Kur hezitojnë të lexojnë, ata hezitojnë të veprojnë në kohë, e kur e lexojnë gabimisht veprojnë jo me plan, po me impuls”, tha Krasniqi.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, theksoi Krasniqi, ka bërë gabime me masat që ka marrë për frenimin e koronavirusit. Sipas tij, barazia që u është bërë qytetarëve të vaksinuar me ata të pavaksinuarit, ka bërë që ta stimulojë mosvaksinimin.
“Sot kemi mbyllje të qendrave sportive, ngjashëm si për të vaksinuarit si për të pavaksinuarit. Kufizimi i lëvizjes përveç që është i panevojshëm, është edhe jologjik”, tha Krasniqi.
Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se masat që Qeveria e Kosovës ka marrë, siç është kufizimi i lëvizjes nuk ndihmon në parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Shteti përmes aparateve të veta duhet të veprojë me masa sanksionuese për mosrespektim të masave, e jo duke i ashpërsuar me masa shtesë. Shkurtimi i orarit të gastronomisë dhe kufizimi i lëvizjes më tepër i kontribuojnë uljes së shpenzimit të energjisë elektrike sesa menaxhimit të pandemisë. Nuk luftohet pandemia me kufizim të lëvizjes, por me masa shëndetësore”, tha Dreshaj, infektolog.
Ai i rekomandoi Qeverisë së Kosovës që të testojë më shumë qytetarë dhe të hapë më shumë pika të vaksinimit.
“Vaksinimi masiv është dalja nga situata, numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve është shumë i ulët”, tha ai, duke rekomanduar që vaksinimi të bëhet obligativ, në veçanti për institucionet publike.
Kurti: Masa për të mos rrezikuar mbipopullimin e spitaleve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se spitalet në Kosovë përballen me numër të kufizuar të shtretërve dhe personelit shëndetësor.
Kjo situatë, tha Kurti, bën që Kosova të marrë masa që reduktojnë shpejtësinë e përhapjes së virusit.
Ngadalësimi i rritjes së rasteve, shtoi Kurti, do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga ndonjë fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve apo nga mungesa e punonjësve, të cilët mund të infektohen.
“Vala e koronavirusit Omicron i ka gjetur institucionet tona shëndetësore në gjendje gatishmërie, megjithatë, sot ndodhemi në mes të fazës më aktive të kësaj vale. Në dyjavëshin e fundit rastet e reja ditore janë rritur për më shumë se dhjetëfish dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme e numrit të hospitalizimeve dhe humbjes së jetës”, tha Kurti.
Kosova, theksoi Kurti, nuk ka luks të injorojë një valë të re të pandemisë. Sipas tij, rritja e rasteve edhe për një kohë është e pashmangshme të ndalet, pavarësisht masave.
“Reagimi i shtetit duhet të jetë adekuat për një qasje parandaluese”, tha Kurti.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe t’i respektojnë masat pasi që Omicron po tregon se nuk është grip dhe po merr jetë dhe mund të ngarkojë sistemin shëndetësor.
Kurti bëri të ditur se mbi 80 për qind e rasteve rasteve të vdekjeve kanë qenë të pavaksinuar.
Ndërkaq, me variantin Omicron më të prekurit kanë qenë grupmosha 10-19.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, tha se rritja e rasteve me COVID-19 nuk është diçka e re vetëm në shtetin tonë, por është e përbashkët për të gjitha vendet në Evropë, SHBA dhe në gjithë botën.
Ai tha se masat e reja për parandalimin e COVID-19 i marrin në konsultim me të gjitha institucionet shëndetësore.
“Masat, të cilat kemi marrë për menaxhimin e COVID-19 janë rezultat i balancimit të këtyre faktorëve, situatës epidemiologjike në vend dhe rajon. Mesatarja javore në Kosovë për 1 milion banorë ka qenë 1,508 raste, mesatarja javore e Evropës është 1,963, ndërsa e Bashkimit Sovjetik është 2,728 raste për 1 milion banorë”, tha Latifi.
Ajo që e dallon në mënyrë të theksuar Kosovën, shtoi Latifi, është numri i madh i testeve që bën Kosova. Po ashtu, tha Latifi, sipas trendit aktual, Kosova ka shumë pak raste të vdekjeve krahasuar me vendet e rajonit.
Kollçaku: Fjalimet e deputetëve të opozitës, me tendencë politike
Fatmire Kollçaku, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, i quajti fjalimet e deputetëve të opozitës me tendencë politike. Sipas saj, opozita është e pakënaqur me gjithçka që bën Qeveria.
“Sjellja e partive politike karshi gjithë kësaj po bëhet për qëllime politike, jo për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, tha Kollçaku.
Kërkesat e opozitës
Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hiqet kufizimi i lëvizjes dhe të mos ketë kufizim të orarit të punës për sektorin e gastronomisë.
Masat tjera, të cilat janë në fuqi, ata kërkojë të mbikëqyren nga institucionet përkatëse.
Certifikatat e vaksinimit, sipas deputetëve të partive opozitare, duhet të kërkohen nga secili qytetar i cili hyn në lokale, objekte tregtare e vende tjera.
Deputetët e partive opozitare, po ashtu, kërkojnë të hiqet masa e Qeverisë e cila kërkon nga qytetarët që hyjnë në Kosovë të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese apo nëse nuk e kanë dozën e tretë, të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.
Në Kosovë nga data 22 janar janë në fuqi masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Masat e reja të Qeverisë së Kosovës ishin marrë pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit.
Me masat e reja është kufizuar qarkullimi nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Bizneset e gastronomisë zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00. Muzika në këto biznese lejohet deri në orën 20:30.
Sa i përket procesit mësimor, në vendim është thënë që të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar duhet të zhvillojnë mësimin sipas skenarëve të përcaktuara më herët, varësisht prej gjendjes nëpër klasa.
Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.
Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, në vendim është thënë se mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.
Deri më tani, të vaksinuar plotësisht, me dy doza të vaksinës janë 832,020 persona.
Në Kosovë, të gjithë personat nga mosha 12-vjeçare mund të vaksinohen kundër koronavirusit. Dozën përforcuese dhe atë të tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh.
(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)