Kosovë: PDK-ja i dërgoi në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara nga shumica

Prishtinë, 13 dhjetor 2024 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i dërgoi të premten për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara nga shumica parlamentare për, siç u tha, shkelje të procedurave dhe përmbajtjes të tyre, raporton Zëri i Amerikës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ligjet që u miratuan në seancën e Kuvensdit të Kosovës më 5 dhjetor flasin për “një standard të dëmshëm në jetën parlamentare”.

“Prej këtyre 16 ligjeve, 15 prej tyre kontestohen vetëm në procedure, ndërsa një nga ato kontestohet edhe në procedurë edhe në përmbajtje”, tha ai.

Tahiri tha se në senacën e 5 dhjetorit, e cila zgjati deri në orët e vona të natës, është shkelur rregullorja e punës duke pamundësuar pjesëmarrjen e partive opozitare në shqyrtimin e projektligjeve.

“Imagjinoni, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, për seancën që është ftuar në orën 14 e 40 minuta, ne jemi njoftuar në ora 15 e një minutë, pra 21 minuta me vonesë për seancë e cila tashmë kishte filluar dhe ne jemi ftuar. Rregullorja e thotë qartë se së paku 48 orë përpara duhet të njoftohen deputetët”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, gjatë asaj séance, kishte thënë se procedurat e përshpejtuara i janë imponuar shumicës parlamentare.

“Pastaj shkojmë drejt festave të fundvitit dhe krejt këto ligje që janë vetëm në shqyrtim të parë që mbeten kthehen në zero procedurat. Kjo ka qenë një urgjencë ndoshta e mazhorancës për t’u koncentruar, sidomos këto ligjet që janë në shqyrtim të parë, pastaj me shmangie të kalohet edhe në shqyrtimin e dytë”, kishte thënë Konjufca.

Një prej tligjeve më të diksutushme që u dëgrua në Gjykatën Kushtetuese është Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është kritikuar ashopër nga opoizita në të gjitha fazat e shqyrtimit.

Kjo ishte  hera e dytë që ky projektligj hidhej në votim në Kuvendin e Kosovës. Në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Kosovë e kishte vlerësuar jokushtetues projektligjin e parë, duke konstatuar se katër nene të tij binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte akuzuar partitë opozitare se përmes dërgimit të projektligjit në Gjykatë Kushtetuese po provon të pengojë reformat në drejtësi.

Shefit i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, tha se rregullorja e parlamentit e ndalon shprehimisht që një ligj të miratohet në dy leximet brenda një dite.

“Pastaj në përmbajtje është pothuajse i njëjti që e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese dhe ne normalisht nuk mund të bëjmë kompromis me një gjë të tillë”, tha zoti Tahiri.

Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendsoje në pushtet Mimoza Kusari Lila tha sot se dërgimi i këtij ligji në Kushtetuese nga Partia Demokratike tregon frikën e saj.

“Atë çfarë kanë përvetësuar kundërligjshëm kur kanë qenë në pushtet duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë tashmë në opozitë”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, shkroi në rrjetet sociale se “me këtë veprim, është e qartë se angazhimi i tyre politik nuk ka më të bëjë me aspirata apo vizione për të ardhmen, por thjesht me një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur pasurinë kolosale të fituar padrejtësisht në të kaluarën”. Ajo tha se byroja do të bëhet.

Reformimi i sistemit të drejtësisë nëpërmjet vetingut dhe themelimi i byrosë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme kanë qenë synimet kryesore të qeverisë së Kosovës. Organizatat që vëzhgojnë punën e sistemit të drejtësisë, vazhdimisht bëjnë thirrje që këto reforma të bëhen me konsensus ndërmjet partive politike e institucioneve të drejtësisë dhe në bashkërendim të plotë me komunitetin ndërkombëtar.

(r.m.)

Comment

*