Nga Harry Bajraktari
Sa herë që vjen dita e pavarësisë së Kosovës, më kujtohet rruga e gjatë dhe e pamundur që kemi kaluar.
Më kujtohet dita që emigruam nga Kosova dhe nuk e dinim a do të ktheheshim dot ndonjëherë. Më kujtohen miqtë e familjes këtu në SHBA, babai im, Metë Bajraktari e të gjithë ata patriotë që nuk jetuan që ta shohin Kosovën e tyre të lirë dhe të pavarur.
Çdo bisedë që bënin përfundonte te Kosova dhe fati i saj.
Sa herë që nisesha në Uashington për ndonjë tubim apo takim, kisha bekimin e prindërve të mi. Ndjehesha krenar që tani e kisha unë radhën që të bëja diçka.
Nuk isha i vetëm. Mijëra shqiptarë në diasporë ndanin rregullisht kursimet për të ndihmuar sistemin tonë paralel në Kosovë dhe rezistencën e madhe të drejtuar nga Dr. Ibrahim Rugova, qeverinë e Kosovës, lobimin në Uashington, Ushtrine Çlirimtare të Kosovës, e në fund për të ndihmuar rindërtimin pas çlirimit.
Frymëzimin më të madh gjithmonë e kishim nga sakrifica e madhe e popullit të Kosovës, njerëzit që dhanë gjithshka, edhe pasurinë edhe jetën.
Më kujtohen të gjitha ato sakrifica dhe shpresa të mëdha sa herë vjen 17 shkurti, dita kur u përmbush amaneti që u kishim dhënë të parëve.
Ato sakrifica dhe mundime janë arsyeja pse u bëj thirrje liderëve dhe zyrtarëve të Kosovës, që ta vendosin atdheun përpara vetes, partive dhe interesave.
Sot, është më e lehtë se nuk janë më ushtarët dhe tankset serbe në rrugët e Kosovës. Por është edhe më vështirë se njerëzit janë lodhur me sakrifica dhe duan siguri, begati, dhe shëndet për familjet e tyre. Ata meritojnë të punojnë dhe jetojnë me dinjitet pas dekadave të sakrificës. Ata meritojnë që ta shohin të ardhmen në Kosovën e lirë dhe jo në emigrim.
Sepse sakrificat kanë qenë kaq të mëdha, prandaj edhe përgjegjësia e liderëve në Kosovë duhet të jetë shumë e madhe. Jepni gjithshka për atë popull.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!