Harry Bajraktari
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 14 shkurt në Kosovë, duhet të nxjerrin një qeveri stabile dhe të qëndrueshme. Në të kundërten mund do të ndodh si me qeveritë e kaluara të largohen pa e përfunduar mandatin e plotë të tyre. Zgjedhjet e shpeshta kanë edhe çmim që më së paku i duhen Kosovës në këtë fazë të zhvillimit të saj.
Këto zgjedhje, që mbahen vetëm tri ditë para shënimit të 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe gjendjes epidemike, duhet të jenë edhe një motiv më tepër për mirëvajtjen e tyre dhe thellimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare.
Qeveria që do të dalë nga vota e lirë e qytetarëve më 14 shkurt, pritet të përballet me shumë probleme të pazgjidhura, sidomos me menaxhimin e pandemisë, dialogun me Serbinë, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, ndaljen e korrupcionit, reformat në arsim dhe shëndetësi, si dhe me zgjidhjen e problemmeve të tjera që Kosova i ka para veti. Ndërkaq, në pritje është liberalizimi i vizava që Kosova edhe pas 13 vitesh të pavarësisë, nuk arriti ta bindë Bashkësinë Evropiane se i ka plotësuar kushtet në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në këto vende.
Qeveria dhe parlamenti i ardhshëm duhet të punojnë shumë më shumë në anëtarsimin e Kosovës në NATO, UNESCO, INTERPOL dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar, duke zhvilluar një aktivitet më intensiv për njohje të reja në ato vende që ende nuk na kanë njohur deri tash. Dialogu mes Kosovës dhe Serbinë duhet të përfundojë sipas letrës së Presidentit të SHBA Joe Biden,dërguar Beogradit me njohje reciproke mes dy vendeve.
Dua të theksoj se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit është suksesi më e madhe i viteve të fundit në fushën e diplomacisë, e cila lidh marrëdhëniet miqësore-ekonomike me këtë vend të zhvilluar. Kjo arritje nuk do të mund të bëhej pa ndihmën e popullit amerikan dhe ndërhyrjen e Presidentit Donald Tramp.
Një sfidë pas konstituimit të parlamentit dhe qeverisë së re, mbetet zgjedhja e presidentit, i cili duhet të marrë detyrën në prill të këtij viti. Meqenëse, asnjë parti e vetme nuk mund ta bëjë shumicën për zgjedhjen e tij, është i nevojshëm një konsensus mes partive shqiptare në mënyrë që mos të shkohet prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Presidenti duhet të jetë një figurë e sprovuar me besim të plotë ndaj qytetarëve.
Zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të kenë frymë demokratike, të jenë të qeta dhe të ndershme, jo të përshkohen nga euforia apo keqpërdorimi i votës. Kosova ka shumë sfida përpara, prandaj i duhet një qeveri e shumicës shqiptare që bën ndryshimin dhe që çon Kosovën një një progres të përgjithshëm. Koha është e pa mëshirshme, ajo nuk pret.
New York, shkurt 2021